Reklamat në "Rrugën B", Foto: Qendra për Zhvillimin e Artit

Muralet Mbulohen nga Reklamat, Ahmeti Paralajmëron Dënim për Bizneset

Në një pjesë të murit në “Rrugën B” muralet e pikturuara nga artistët me renome ndërkombëtare janë mbuluar nga dy reklama të bizneseve ‘Cima Construction’ dhe ‘Loriano Restorant’.

Qendra për Zhvillimin e Artit (Q’art) ka shprehur shqetësimin për degradimin e hapësirave publike të dedikuara për art në Prishtinë duke thënë se ditëve të fundit është vërejtur rishfaqja e reklamave tek muri në ‘Rrugën B’.

“Sot vërejtëm se një pjesë e këtij muri pranë rreth rrotullimit është mbuluar nga reklamat e dy bizneseve, ‘Cima Construction dhe ‘Loriano Restorant’. Si organizata e vetme që deri më tani ka arritur të bëj intervenime në hapësira publike, Q’art vazhdimisht ka ngritur zërin kundër fenomenit të dominimit të reklamave në hapësirat publike, siç ka qenë deri më tash në mënyrë kaotike dhe pa kritere të duhura”, thuhet në reagimin e Qendrës për Zhvillim të Artit.

Për vendosjen e këtyre reklamave në ‘Rrugën B’ ka reaguar edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti i cili ka thënë se do të dënohen bizneset që i kanë vendosur reklamat mbi murale.

Dikush sot paska fillu me i prish muralet me reklama. Ne do t’i dënojmë këto biznese, me qëllim edhe emrin po ja u vendosi për me tregu se nuk i bën nder askujt me punu kundër rregullit e ligjit e edhe kundër artit. I paralajmërojmë edhe të tjerët se do të ngrisim kallëzime penale”, ka shkruar Shpend Ahmeti në profilin e tij në “Facebook”.

Në një prononcim për KALLXO.com, Arsim Kabashi, pronari i ‘Cima Construction’ dhe ‘Loriano Restorant’ ka thënë se reklamat janë vendosur nga punëtorët pa dijeninë e pronarit.

“E kanë vendosur punëtorët pa lejen tonë, po sot kemi me pastru. Por Komuna vepron me rregullat e veta, por këtë e kanë bërë punëtorët pa vetëdijen tonë, por sot do t’i pastrojmë”, është shprehur Kabashi.

Organizata ‘Q’art’ e ka ftuar Komunën e Prishtinës dhe organet përkatëse që të marrin masat përkatëse për të evituar shëmtimin e mëtejmë të kësaj pjesë. Madje ata kanë propozuar që të vendoset rregull në këtë fushë.

“Muri tek Rruga B të mbrohet nga reklamat dhe dëmtimet, dhe të jetë i dedikuar për vepra arti. Bizneset që kanë ngjyrosur këtë pjesë me reklamat e tyre të gjobiten dhe mjetet nga gjoba të përdoren për të mbuluar këtë pjesë me vepra të reja arti”, thuhet në reagimin e organizatës.

Madje ata propozojnë që Komuna e Prishtinës dhe Qendra për Zhvillimin e Artit të nënshkruajnë një Memorandum bashkëpunimi, me të cilin synohet definimi i strategjisë afatshkurtër për ringjalljen e hapësirave publike të mbetura shkret, arti në hapësira publike të hyjë në agjendën prioritare të komunës dhe të bëhet rregullimi institucional i artit në hapësira publike.