Arbitrazhi dhe konsumatorët | Foto: Oda Ekonomike Amerikane

Mungon Udhëzimi që Konsumatorët të Mbrohen me Arbitrazh

Një udhëzim administrativ që mungon, pengon konsumatorët që çështjet e tyre kontestuese me kompanitë t’i zgjidhin me arbitrazh, apo ndërmjetësim.

Ligji për Mbrojtjen e Konsumatorit i lejon ata që të zgjidhin kontestet me metoda alternative, por drejtori i Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorit në Ministrinë e Tregtisë dhe të Industrisë Njazi Shala në një tryezë tha se për t’ua mundësuar këtë mbrojtje konsumatorëve pritet të hartohet një udhëzim administrativ.

Konsumatorët mund t’i referohen lehtazi arbitrazhit apo ndërmjetësimit, megjithatë për t’u bërë ligji i plotfuqishëm dhe i zbatueshëm, nevojitet nxjerrja e një udhëzimi administrativ, i cili pritet të hartohet nga zyra jonë në periudhën në vijim dhe për këtë na nevojitet edhe ndihma e Qendrës së Arbitrazhit të Odës Amerikane“, tha Shala.

Në tryezën e organizuar me ekspertë ligjorë dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore, kryetari i Këshillit Drejtues të Qendrës së Arbitrazhit të Odës Amerikane avokati Sokol Elmazaj, tha se ndalimi i imponimit të klauzolave të arbitrazhit nga kompanitë ndaj konsumatorëve është kusht i padrejtë.

“Ligji për Mbrojtjen e Konsumatorit nuk e ndalon arbitrazhin si metodë alternative të zgjidhjes së kontesteve, por ligji në fjalë ndalon vetëm imponimin e klauzolave të arbitrazhit nga kompanitë ndaj konsumatorëve, që natyrisht do të ishte kusht i padrejtë në rregullimet kontraktuale”, tha avokati Elmazaj.

Ai tregoi se Qendra e Arbitrazhit në Odën Ekonomike Amerikane ofron shërbime të arbitrazhit dhe ndërmjetësimit, qoftë në raste ndërmjet kompanive, apo kompanisë me konsumatorin.