Mungon Prokurorja, Shtyhet Gjykimi i Drejtorit të Arsimit të Suharekës

Kjo e fundit me shkresë zyrtare kishte njoftuar Gjykatën se do të mungonte të hënën.

“(Prokurorja) ka kërkuar nga kryetari i trupit gjykues shtyrjen e gjykimit të sotëm, duke u arsyetuar se për ditën e sotme është e angazhuar në çështjen penale që mban numrin P.nr.124/13 për të pandehurin Granit Paçarizi për shkak të veprës penale të vrasjes në tentativë”, tha kryetari i trupit gjykues, Xheladin Osmani.

Në shkresën drejtuar Gjykatës së Prizrenit, prokurorja kishte njoftuar se gjykimi ndaj Granit Paçarizit do të mbahet në Gjykatën e Ferizajt.

Me aktvendim të trupit gjykues u vendos që seanca e radhës të mbahet më 10 korrik.

“Po, prokurorja e rastit e kishte njoftuar Gjykatën se ishte e angazhuar në një gjykim tjetër, konkretisht në Ferizaj dhe seanca u caktua më 10 korrik në ora 9:30. Po sa i përket zgjatjes së gjykimit, kemi parasysh edhe natyrën e lëndëve të cilat zgjasin, mirëpo është e pamundur të përshpejtohen sepse gjykatësit janë të ngarkuar me shumë lëndë”, tha avokati Brahim Sopa.

Sherif Berisha akuzohet se në cilësi të personit zyrtar nuk ka vepruar sipas rekomandimit të Sektorit të Inspeksionit të Arsimit në Prizren në lidhje me anulimin e konkursit të datës 21 gusht 2015.

Duke mos e rishpallur konkursin, Berisha akuzohet se dëmtoi kandidatët për mësimdhënës në shkollën e mesme profesionale “Abdyl Rama”.

Prokuroria në aktakuzë tregon se për çfarë ishte hapur ky konkurs.

“Konkurs ky i shpallur për rekrutimin e stafit të mësimdhënësve për Shkollën e Mesme Profesionale ‘Abdyl Rama’ në Shirokë dhe rishpalljen e konkursit në po të njëjtën shkollë në afat prej 8 ditësh, me ç’rast seriozisht i shkel të drejtat e kandidatëve të tjerë që kanë konkurruar në konkursin me nr. 05 nr.268, me çka ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë.

KALLXO.com raportoi edhe nga seanca e kaluar e këtij rasti.

http://kallxo.com/inspektori-deshmon-kunder-drejtorit-te-arsimit-te-suharekes/

Muajin e kaluar, drejtori Berisha u gjet fajtor në një rast tjetër për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe u dënua me 4 mijë euro gjobë.

http://kallxo.com/shpallet-fajtor-drejtori-arsimit-te-suharekes/