Gjykimi për therjen afër "Grandit" | Foto: KALLXO.com

Mungon Prokurorja në Gjykimin për Therjen Afër ‘Grandit’

Prokurorja Shemsije Asllani mungoi në gjykimin e A.F. që akuzohet për therjen me thikë të F.S. në Prishtinë te një pikë e ndalimit të autobusëve afër Hotelit “Grand”.

Gjyqtari i rastit, Vesel Ismajli, bëri të ditur se prokurorja nuk e ka arsyetuar mungesën, ndërsa për mungesë të saj e shtyri seancën.

Shtyrja e revoltoi të akuzuarin A.F. që vazhdimisht përsëriti fjalët “Mu po më dëmtoni”.

Prokuroria pretendon se ngjarja ka ndodhur më 13 dhjetor të vitit 2014 rreth orës 22:40 në stacionin e autobusëve te hoteli “Grand” në Prishtinë.

“Pas një fjalosje me të dëmtuarin F.S., me dashje që ta privojë nga jeta e ka kapur për gjoksi duke e tërhequr dhe e ka goditur disa herë me thikë në gjoks”, përshkruhen në aktakuzë veprimet e të akuzuarit A.F.

Aktakuza sqaron se për shkak të lëndimeve nga therjet F.S. ishte trajtuar në Klinikën Kardiokirurgjike në Prishtinë.

Prokuroria për veprimet e tij të pandehurin A.F. e akuzon për vrasje të rëndë të mbetur në tentativë.

 

(Me kërkesën e palës së dëmtuar, ky raport është edituar më 24 janar 2018, me ç’rast është hequr emri i tij dhe i të dyshuarit dhe janë lënë vetëm inicialet)