Gjykimi për vrasje | Foto: KALLXO.com

Mungon Gjyqtari në Gjykimin për Vrasjen e Naim Hajrizit

Anëtari i trupit gjykues Isuf Makolli mungoi në gjykimin e Gëzim Rektocerit dhe Osman Spahiut për vrasjen e Naim Hajrizit.

Gjyqtari mungoi ngase ndodhet në trajnim jashtë Prishtinës, ndërsa për mungesë të tij seanca u shty.

Kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismajli, tha se për të mos u shtyrë seanca, ka dashur që të marrë gjykatësen Naime Jashanica në zëvendësim të gjykatësit Makolli.

“Sipas informatave nga avokatja Kosovare Kelmendi nuk është pranuar që të bëhet ndryshimi i trupi gjykues”, shtoi gjykatësi Ismajli.

Qëndrim të përbashkët me avokatët e të akuzuarve pati edhe përfaqësuesi i familjes së dëmtuar, avokati Bajram Tmava, i cili tha se më mirë të shtyhet, sesa të zëvendësohet me gjykatës vetëm për këtë seancë.

Gjykata aprovoi propozimin e tyre, ashtu që seanca e sotme u ndërpre për mosndryshim të trupit gjykues.

Edhe në fillim të janarit një seancë e këtij gjykimi ishte shtyrë.

http://kallxo.com/shtyhet-seanca-ne-rastin-cekici/

Prokuroria akuzon Gëzim Retkocerin dhe Osman Spahiun se më 29 prill të vitit 2009 me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore e kanë rrëmbyer tani të ndjerin Naim Hajrizi dhe pastaj e kanë goditur me mjete të forta duke e mbytur.

Spahiu dhe Retkoceri në korrik të vitit 2015 ishin dënuar me nga 30 vjet burgim por pas ankesës së mbrojtjes Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor.