Pamje nga seanca gjyqësore ndaj zyrtarit të Kryeministrisë dhe djalit të tij - Foto: KALLXO.com

Mungon Dëshmitari nga i cili Zyrtari Qeveritar Akuzohet se Mori Para

Dëshmitari dhe i dëmtuari Elsadat Musliji nuk ishte i pranishëm në gjykimin e zyrtarit qeveritar Zahir Bajrami dhe djalit të tij Adrian Bajrami.

Zahir Bajrami në këtë proces gjyqësor ngarkohet për shpërdorim detyre, ndërsa djali i tij për mashtrim.

Për shkak të mungesës së Muslijit, seanca u shty në muajin korrik.

Në bazë të aktakuzës, Zahir Bajrami gjatë kohës që ishte drejtor për Buxhet dhe Financa në Zyrën e Kryeministrit së Kosovës ishte takuar disa herë me të dëmtuarin Elsadat Musliji, të cilit i kishte premtuar që përmes pozitës së vet do t’ia hiqte dënimin prej tre vjetësh burgim të shqiptuar nga ish-Gjykata e Qarkut.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Zahir Bajrami përmes djalit të tij, të akuzuarit Adrian Bajrami, më 9 shkurt të vitit 2017, i kishte marrë 10,000 euro të dëmtuarit Elsadat Musliji, pasi që të njëjtit i kishte premtuar se do të ndikonte në Gjykatën e Apelit për heqjen e dënimit me burgim.

Ndërkaq, djali i tij, Adrian Bajrami, fillimisht ia kishte marrë 10,000 euro, e më pas ia kishte kërkuar edhe 10,000 euro, ashtu që i dëmtuari Musliji është detyruar që rastin ta paraqesë në polici.

Për këtë i akuzuari Zahir Bajrami ngarkohet me veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare, ndërsa djali i tij, i akuzuari Adrian Bajrami, ngarkohet me veprën penale të mashtrimit.

Babë e bir ishin arrestuar nga policia më 9 shkurt 2017.

http://kallxo.com/arrestohet-zyrtari-larte-qeverise-kerkonte-para-per-zgjidhjen-e-nje-rasti-ne-gjykate/

Në qershor zyrtari qeveritar dhe djali i tij u deklaruan të pafajshëm.

http://kallxo.com/drejtori-qeverise-dhe-djali-tij-mohojne-akuzat/

KALLXO.com raportoi edhe për pezullimin e këtij zyrtari të Kryeministrisë.

http://kallxo.com/pezullohet-zyrtari-qeveritar-dyshuar-per-mashtrim/