Peja | Foto: KALLXO.com

Mungon Buxheti- Peja nuk Dekorohet për Vit të Ri

Qendra e qytetit të Pejës nuk do zbukurohet me drita për festat e fundvitit, sikurse qytetet tjera të Kosovës.

Mungesa e mjeteve buxhetore është arsyeja që japin zyrtarët komunalë për mosstolisje të Pejës.

Drejtori i Financave në Komunën e Pejës, Jeton Abazaj, tha se komuna nuk ndan buxhet për dekorim që tri vjet.

“Ne nuk kemi ndarë buxhet që tri vite(për dekorimin e qytetit). Kemi pas ndarë buxhet para tri viteve dhe ka qenë një tender rreth 10 mijë euro të cilin e ka fituar një operator jashtëzakonisht i keq në atë kohë edhe e ka stolisë shumë keq”, tha drejtori Abazaj për KALLXO.com

Sipas Abazajt që të bëhet dekorimi mirë duhen 20 mijë euro.

“Tash duhet të ndahen mbi 20 mijë euro të bëhet mirë, por kryetari nuk ka dashtë t’i ndajë 20 mijë euro”, tha drejtori Abazaj.

Dy vjet me parë KALLXO.com raportoi për dekorimin e qytetit të Pejës me iniciativën dhe financimin e disa bizneseve të qytetit, mirëpo disa qytetarëve nuk u pat pëlqyer si ishte stolisur  qendrës e Pejës.

http://kallxo.com/komuna-e-pejes-u-kerkon-bizneseve-ta-zbukurojne-qytetin/

Edhe këtë vit sikurse vitet paraprake, drejtori i financave, Jeton Abazaj, thotë se ka pasur biseda me disa biznese që ato ta bëjnë financimin e stolisjes se qytetit, por, sipas tij, këtë vit nuk ka hasur në mirëkuptim.

Abazaj premtoi se për fundvitin e 2018-ës komuna do ndajë buxhet për dekorimin e qytetit, edhe pse nuk e mohoi se mund të ndikoj keq tek qytetarët  mos stolisja e sivjetme e qendrës.

Në anën tjetër, pjesëtari nga shoqëria civile në Pejë, Veton Mujaj, drejtori i organizatës “Syri i Vizionit”, tha se është skandaloze që Peja të mos u bashkohet vendeve tjera në atmosferën festive të festave të fundvitit.

“Në të gjitha vendet perëndimore nga qytetet e deri te lagjet ka njëlloj atmosfere festive për fundvit. Të them të drejtën Peja të mbetet e patrajtuar si atmosferë festive me të vërtetë është skandaloze. Nuk po mund të besoj qe mundet me ndodhë të mos stoliset Peja, së paku duke i parë qytetet tjera të Kosovës, diku keq e diku mirë, por së paku japin atmosferë festive”, tha Mujaj.

Drejtori i “Syrit të Vizionit” thotë se nuk është arsyetim mungesa e mjeteve për dekorim të qytetit.

“Realisht është e palogjikshme nëse thuhet se nuk ka buxhet për ta stolisur qytetin, është e vërtetë që para zgjedhjeve janë harxhuar shumë para, por duhet të kishte para sa për ta stolisur qendrën”, tha Veton Mujaj.

“Peja dhe stolisja e saj ndër vite është një shembull i keq”, konstatoi ai.

KALLXO.com raportoi se Komunës se Prishtinës sivjet do t’i kushtojë dekorimi i qytetit për fundvit 58 mijë euro, ose 8 mijë euro me shumë se vitin e kaluar.

http://kallxo.com/komunes-se-prishtines-dekorimi-kushtoi-tete-mije-euro-shtrenjte/

Po ashtu KALLXO.com raportoi edhe për komunën e Prizrenit e cila kishte nënshkruar kontratë në vlerë prej 997 eurove vetëm për planin  e dekorimit të qytetit.

http://kallxo.com/prizreni-dekorohet-plan/