Mungon i Akuzuari, Shtyhet Seanca Fillestare

Për shkak se mungonte i akuzuari Mensur Lika, kryetarja e trupit gjykues u detyrua ta shtyjë seancën fillestare në rastin ku të akuzuar për lëndim trupor janë edhe Abdyl Qerkezi e Gëzim Bala.

Gjykatësja Shadie Gërguri tha se i akuzuari Mensur Lika ka ndërruar adresë, prandaj nuk e ka pranuar ftesën për seancë, e cila u shty për 20 ditë.

“Gjykata ka kontaktuar me numrin e telefonit i cili ekziston në shkresat e lëndës. Në atë telefon është lajmëruar nëna e tij me arsyetimin se ai numër nuk është i Mensurit. Po ashtu kemi kuptuar se Mensur Lika e ka adresën e re në fshatin Plemetin”, tha gjyqtarja Gërguri.

Për këtë arsye, kryetarja e trupit gjykues e shtyri seancën për më 27 shtator.

“Duke marr parasysh se nuk janë krijuar kushtet për mbajtjen e seancës fillestare, seanca e sotme fillestare nuk do të mbahet dhe caktohet për datën 27 shtator me fillim nga ora 9:00”, përfundoi seancën gjyqtarja Gërguri.

Prokuroria akuzon Qerkezin, Balën dhe Likën se më 6 maj 2016 në Obiliq pas një mosmarrëveshjeje dhe në bashkëveprim kanë sulmuar fizikisht Gramos Dubovën, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.

Tre të pandehurit akuzohen për veprën penale të lëndimit të lehtë trupor, ndërsa Abdyl Qerkezi edhe për armëmbajtje pa leje.