Pallati i Drejtësisë - Foto: KALLXO.com

Mungon i Akuzuari për Ndihmë në Grabitje

Ismet Krasniqi, njëri ndër katër të akuzuarit në lidhje me grabitjen në pompën e benzinës “Euro Jon”, nuk u paraqit në gjykatë në shqyrtimin e dytë gjyqësor, duke u bërë shkak që seanca të shtyhet.

Kryetari i trupit gjykues Vehbi Kashtanjeva e ndërpreu seancën dhe mori aktvendim me të cilin vendosi që i akuzuari Ismet Krasniqi në seancën e radhës të shoqërohet nga policia.

Ismet Krasniqi akuzohet nga prokuroria se në mars të vitit të kaluar në orën 14:00 kontaktoi me telefon të akuzuarit Denis Avdija, Argjend Gashi e Naser Cena, me të cilët pastaj u takua në parkingun e supermarketit “Sharri” në Llapushnik, duke u dhënë udhëzime për grabitjen në pompë.

Sipas aktakuzës, më 6 mars 2016 rreth orës 20:30 në fshatin Arllat të Drenasit, të pandehurit Denis Avdija dhe Argjend Gashi të armatosur dhe me maska të zeza në kokë, hynë në pompën e derivateve “Euro Jon” me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm pasuror.

Në aktakuzë sqarohet se ata e kërcënuan me armë punëtorin e pompës Bedri Krasniqin nga i cili kërkuan para.

Derisa Bedri Krasniqi po e fuste dorën në xhep për t’i nxjerrë paratë, i pandehuri Denis Avdija shtiu me armë në drejtim të tij dhe e qëlloi në këmbën e djathtë. Pastaj e goditi në shpinë, ndërsa më pas dy të akuzuarit ia morën paratë duke u larguar nga vendi I ngjarjes, thuhet në aktakuzë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri tjetër Naser Cena u ndihmonte duke e përcjellë situatën nga jashtë. Pastaj, ai së bashku me Denis Avdinë e Argjend Gashin u nisën për në Ferizaj, ku Cena të njëjtëve ua pagoi hotelin për të fjetur.

Prokuroria pretendon se Ismet Krasniqi përveç që i udhëzoi tre të akuzuarit tjerë për grabitjen, i kontaktoi ata edhe gjatë dhe pas kësaj grabitjeje.

Në këtë proces gjyqësor Denis Avdija dhe Argjend Gashi akuzohen për veprën penale grabitje, kurse Naser Cena dhe Ismet Krasniqi për ndihmë në kryerjen e veprës penale.

Denis Avdija dhe Argjend Gashi po mbahen në paraburgim, ndërsa Naser Cena e Ismet Krasniqi po gjykohen në liri.

Seanca gjyqësore u shty për datën 29 maj.

KALLXO.com e ka ndjekur edhe më herët këtë proces gjyqësor.

http://kallxo.com/i-akuzuari-per-grabitje-ne-pompen-e-benzines-e-pranon-fajesine/