Gjykimi për narkotikë | Foto: KALLXO.com

Mungon i Akuzuari për Narkotikë- Shtyhet Seanca

Në seancën e sotme mungoi i akuzuari Nazim Fanaj dhe mbrojtësi i tij Arsim Bilalli. Ata e kishin pranuar ftesën në mënyrë të rregullt, mirëpo nuk e arsyetuan mosardhjen në gjykim.

Në këtë gjykim, Nazim Fanaj, Arsim Fazliu dhe Naser Miftari akuzohen që me bashkëpunim kanë kryer veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.

Në seancën e kaluar të akuzuarit Nazim Fanaj pas pranimit të fajësisë dhe propozimit të mbrojtësit të tij Arsim Bilalli për ndryshimin e masës së paraburgimit me ndonjë masë tjetër, trupi gjykues me pajtimin e prokurores Javorka Prlinçeviq, ia caktoi masën për paraqitjen në stacionin policor në Prizren.

Kryetari i trupi gjykues Vehbi Kashtanjeva konsideroi se nuk ka kushte për mbajtjen e seancës gjyqësore.

Seanca e radhës u caktua më 14 qershor në orën 10:00.

Në bazë të aktakuzës, Nazim Fanaj së bashku me Arsim Fazliun dhe Naser Miftarin pas një marrëveshjeje paraprake gjatë kohës që Nazim Fanaj ka qëndruar në restorantin “Univers” në Vërmicë, personi NN e ka vendosur sasinë e narkotikut në bagazhin e veturës së Fanajt, të cilin paraprakisht e kishte marrë në kompaninë Rent a Car “Prizreni”.

Sipas aktakuzës, Fanaj ishte nisur me makinë së bashku me narkotikët në bagazh, të cilët kishte pasur t’ia dorëzonte të akuzuarve Arsim Fazliut dhe Naser Miftarit të cilët po e prisnin në qytetin e Podujevës.

Pasi Fanaj kishte qenë në vëzhgim të policisë, ai u ndalua nga zyrtarët policorë në fshatin Sllatinë, ndërsa gjatë kontrollit të makinës u gjetën 16 paketime të mbushura me marijuanë me peshë rreth 15 gramë.

Nazim Fanaj akuzohet për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.

Ndërsa, të akuzuarit Fazliu e Miftari, ngarkohen me veprën penale organizimi, drejtimi apo financimi i trafikimit të narkotikëve apo substancave psikotrope, pasi që prokuroria pretendon se kanë angazhuar Nazim Fanajn që ta bëjë transportimin e marijuanës.

Nazim Fanaj u lirua nga paraburgimi në muajin prill.

http://kallxo.com/lirohet-nga-paraburgimi-akuzuari-per-narkotike/