Gjykata Themelore e Mitrovicës - Foto: KALLXO.com

Mungojnë të Akuzuarit për Rrëmbim, Shtyhet Seanca

Mungesa e të akuzuarve për rrëmbim bëri që seanca e paraparë të mbahej sot në Gjykatën Themelore të Mitrovicës të shtyhet.

Prokuroria e atëhershme e qarkut në Mitrovicë e akuzon Shyqiri, Shemsi, Mehdi, dhe Sami Fazliun se në gusht të vitit 2003 para pompës së derivateve të naftës “Medi Petrol”, në fshatin Bukosh të Vushtrrisë, në bashkëveprim kanë rrëmbyer të  dëmtuarin Ismet Hoxhën.

Në aktakuzën e ngritur në vitin 2006 thuhet se të lartcekurit me forcë e kanë nxjerrë nga automjeti Ismet Hoxhën e më pas e kishin dërguar dhe mbajtur në një dhomë të shtëpisë së tyre, e cila gjendet në afërsi të kësaj pompe të derivateve, raporton KALLXO.com.

Me këtë kanë kryer veprën penale – rrëmbim.

Ndërsa i pandehuri Mehdi duke iu kërcënuar me revole në kokë me mendjen se do ta mbanin ashtu derisa të kryhej kontesti rreth shitblerjes së një revoleje ka kryer veprën penale – mbajtja në pronësi, kontroll, posedim ose shfrytëzim i paautorizuar i armëve.

Për mbajtje në pronësi, kontroll, posedim ose shfrytëzim të paautorizuar të armëve akuzohet edhe i pandehuri Rasim Feka.

Seanca e cila ishte paraparë të mbahej sot në këtë Gjykatë u shty për shkak të mungesës së të pandehurve Shyqiri, Mehdi dhe Sami Fazliu, raporton Kallxo.com.

I pranishëm ishte vetëm Shemsi Fazliu, i cili deklaroi se të pandehurit e lartcekur i kishte vëllezër dhe se ata nuk gjendeshin në Kosovë.

Fazliu shtoi se tre të pandehurit do të vijnë për pushime në Kosovë gjatë muajit korrik, duke premtuar se së bashku me ta do të paraqitet në seancë.

Gjyqtari i kësaj çështjeje Beqir Halili njoftoi se nga raporti i oficerit vërtetohet se i akuzuari Mehdi Fazliu gjendet në Itali ndërsa Shyqiri dhe Sami Fazliu gjenden në Zvicër.

Pas kësaj nuk u plotësuan kushtet ligjore për mbajtjen e kësaj seance.

Seanca u shty në afat të pacaktuar, kurse për shqyrtimin e ardhshëm palët do të ftohen me ftesa të rregullta.