Gjykimi për grabitje | Foto: KALLXO.com

Mungojnë të akuzuarit për grabitje në pikën e derivateve

Megjithëse ishte paraparë që të mbahej gjykimi për të pandehurit Lorik Beqiraj, Shkumbim Morina dhe Jetmir Ukëhaxhaj, të cilët ngarkohen për veprën penale të vjedhjes së rëndë dhe të grabitjes, ky gjykim dështoi për arsye të mungesës së dy të akuzuarve.

Në gjykatë nuk ishin të pranishëm Lorik Beqiraj e Jetmir Ukëhaxhaj.

Gjykata nëpërmjet telefonit u informua sot nga zyrtari ligjor i Burgut të Dubravës se Lorik Beqiraj ndodhej në Spitalin Rajonal të Pejës për trajtim dhe për këtë arsye nuk ishte dërguar në gjykatë.

Pasi ekzistonte mundësia që seanca e gjykimit të mos zhvillohej për mungesë të Lorik Beqirajt, as Jetmir Ukëhaxhaj nuk u soll në gjykatë nga Qendra e Paraburgimit në Pejë.

Nuk ishin të pranishëm asnjëri nga të dëmtuarit, Zgjim Kurti, Afrim Gjokaj dhe Faton Xërxa si dhe dëmshmitari Fatlind Ukhaxhaj të cilët ishin ftuar në mënyrë të rregullt, ndërsa nuk e kishin arsyetuar mungesën e tyre në seancë.

Në gjykatë erdhën avokatja Fehmije Zhubi, mbrojtësja e të akuzuarit Lorik Beqiraj, i akuzuari Shkumbim Morina dhe mbrojtësi i tij avokati Masar Vula, Mbrojtësi i të akuzuarit Jetmir Ukhaxhaj avokati Genc Juniki si dhe dëshmitarët Sinan Ahmeti dhe Bajram Koci.

Pasi që prorurori Ali Uka theksoi se nuk ka kushte për mbajtjen e shqyrtimit të sotëm, gjyqtari i trupit gjykues Nikollë Komani e shtyu  gjykimin për datat 31 maj dhe 1 qershor.

Të akuzuarit Lorik Beqiraj dhe Shkumbim Morina kanë qëndruar nën masën e paraburgimit nga data 8 dhjetor 2016 e gjer me datën 8 mars 2017, gjersa nga kjo datë gjenden nën masën e arrestit shtëpiak, ndërsa i akuzuari Jetmir Ukhaxhaj gjendet në paraburgim nga data 9 dhjetor 2016.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit me datën 2 dhjetor të vitit 2016, me qëllim që vetit t’i sjellin përfitim pasuror të kundërligjshëm pasi janë marrë vesh mes veti dhe kanë ndarë rolet, të njëjtit i marrin pasurinë e të dëmtuarit Faton Xërxa.

Në aktakuzë thuhet i pandehuri Lorik Beqiraj huazon një automjet të tipit “Tojota” dhe bashkë me dy të akuzuarit tjerë shkuan pikërisht tek autolimari “Driloni”-pronë e Fatos Xërxës.

Ata më pas, gjithnjë sipas aktakuzës duke përdorur forcën i hapën dyert e punëtorisë dhe morën automjetin e tipit “Mercedes A-Klas” me tabela të shtetit gjerman, i cili ishte në riparim dhe u larguan në drejtim të panjohur, duke i shkaktuar dëm material të dëmtuarit në vlerë prej 4000 euro.

Në aktakuzë sqarohet se i njëjti automjet është gjetur nga ana e policisë dhe është sekuestruar.

Aktakuza më tutje shpjegon se më datën 3 dhjetor 2016 të akuzuarit nën kanosjen e armës dhe të maskuar i marrin pasurinë të dëmtuarit Zgjim Kurti, punëtor në pompën e derivateve “Petroll Kompani”.

Paratë, sipas aktakuzës, iu kërkuan Zgjim Kurtit nga njëri nga të pandehurit nën kërcënimin e armës, ndërsa i dëmtuari për këtë arsye detyrohet  t’i japë shumën prej 220 eurove.

Të pandehurit pastaj u larguan në drejtim të panjohur

Me këto veprime të akuzuarit kanë kryer veprën penale të vjedhjes së rëndë dhe veprën penale të grabitjes.