Gjykata në Prizren | Foto: KALLXO.com

Mungojnë Avokatët në Gjykimin për Vrasjen e Trefishtë

Në gjykimin ku po akuzohen babë e bir, Eshref dhe Ejup Shemallari, të cilët për shkak të një mosmarrëveshje të mëhershme, privuan nga jeta Ferdi Shishkon, Haki Thaçin dhe Bergin Ersoyn, që të tre nga Prizreni, të martën seanca gjyqësore nuk u mbajt.

I akuzuari Ejup Shemallari, e njoftoi trupin gjykues se mbrojtësi i tij- avokati Mahmut Halimi, për shkaqe shëndetësore nuk ka mundur të jetë i pranishëm në seancën gjyqësore.

Gjykata përmes telefonit komunikoi me avokatin Mahmut Halimi dhe konfirmoi se i njëjti gjendet në Republikën e Shqipërisë, ku i ishte nënshtruar një operacioni.

Ndërsa avokati Betim Shala, përmes telefonit e njoftoi gjykatën se kishte dorëzuar një parashtresë në gjykatë, mirëpo trupi gjykues atë parashtresë ende nuk e kishte pranuar dhe kjo u konstatua në procesverbal bashkë me shënimin se nuk dihet për çfarë parashtrese është fjala.

Pas marrjes së mendimit të palëve të pranishme, trupi gjykues vlerësoi se nuk ka kushte për mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor.

Seancat e radhës u caktuan që të mbahen me 15 dhe 29 shtator 2017.

Eshref Shemallari dhe Ejup Shemallari akuzohen për shkelje të Kodit Penal të Kosovës, pasi që më 8 mars 2015 rreth orës 14:10 minuta në Prizren në Rrugën “Ismet Jashari- Kumanova”, pas një mosmarrëveshjeje paraprake të mëhershme, me dashje privuan nga jeta tani të ndjerët Ferdi Shishko, Haki Thaçi dhe Belgin Ersoj, të gjithë nga Prizreni.

Incidenti kriminal, i cili ishte temë e diskutimeve të shumta për shkak të së kaluarës recidiviste të të vrarëve, tashmë është drejt fundit të gjykimit në Gjykatën e Prizrenit.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar për këtë rast.

http://kallxo.com/babe-e-bir-ne-gjykate-per-vrasje-te-trefishte/