Mungesë Rryme dhe Ambulance në Parajsën e Bogës

Rruga Pejë-Bogë duket si e dalë nga përrallat me bukurinë madhështore të pishave të mbuluara nga bora dhe majat e maleve që të nxisin të ngjitesh.

Ata që e duan natyrën dimërore vijnë me shumicë në këtë ambient.

Shumëkujt mund të mos i pëlqejë bora dhe të struket në dhoma të ngrohta gjatë acarit, por në Bogë rënies së borës i gëzohet gjithmonë ish-skitari dhe instruktori i skijimit Dardan Pupovci.

“Për momentin janë kushtet e mira për skijim, po presim prapë me ra borë, por edhe me këto kushte mund të skijohet dhe me ardhë me bo qejf, të kënaqen duke  shijuar borën, kush e ka në qejf dhe në gjak,“ tha Pupovci për KALLXO.com.

Ditën e kthjellët e me diell dimri kishin ardhur ta kalojnë në Bogë edhe një grup shokësh nga Gjakova.

“Jemi prej Gjakovës, kemi ardhur  në Bogë për të skijuar se është një vend malor,” tha Arbër Ademaj.

Por Shaban Demaj nga Rugova tregoi edhe mungesat e këtij fshati turistik.

“ Si shqetësim mund të themi se komuna i ka disa ngecje të veta. Nuk e di pse gjatë një vikendi që marshojnë vizitorë nga të gjitha anët rreth dy – tre mijë vizitorë, nuk është një ambulancë apo dy ambulanca që të jenë në përkujdesje të tërë këtyre njerëzve se faktikisht janë edhe me skia dhe të moshës së mitur shumica dhe mund të rrëzohet ose të lëndohet ndonjë. Komuna nuk dalin,” tha Demaj.

Ai u ankua edhe për reduktime të shpeshta të rrymës në Bogë që tha se nuk i ndihmojnë zhvillimit të turizmit.

Kosova konsiderohet si vend shumë i përshatshëm për turizëm malor, pasi përveç Bogës, ka edhe vende tjera si Brezovica e Prevalla ku mund të ushtrohen sportet dimërore.

Rruga Pejë-Bogë megjithëse gjarpëron e përbirohet mes maleve, është e kalueshme për të gjitha automjetet, pavarësisht temperaturave shumë të ulëta.