Mungesë Entuziazmi për Zgjedhje te Studentët e UP-së

Nesër do të mbahen zgjedhjet për Parlamentin Studentor të Universitetit të Prishtinës.

Në këto zgjedhje do të marrin pjesë nëntë organizata që synojnë ta udhëheqin këtë parlament ndërsa të drejtë të votës do të kenë mbi 44 mijë studentë.

Një ditë para këtyre zgjedhjeve, KALLXO.com ka realizuar një anketë me studentë të UP-së të cilët janë shprehur të paentuziazmuar dhe të painteresuar për këtë proces.

Ermira Raqi, studente e  Departamentit të Ekonomisë, tha se  arsyeja e  mospjesëmarrjes së saj në zgjedhje  është mosbesimi që ajo ka ndaj organizatave studentore.

“Jo nuk kam shumë besim në këto organizata”, tha Raqi.

Ndërsa Selvije Preniqi, studente e Departamentit të Sociologjisë thotë se nuk i interesojnë zgjedhjet studentore.

“Nuk do të dal sepse nuk jam e interesuar në Parlamentin Studentor”, tha Preniqi

Më entuziast u shpreh studenti i Departamentit të  Shkencave Politike, Argjend Softolli, i cili thotë se do të votojë dhe beson në rezultate të mira nga këto zgjedhje.

“Presim që në të ardhmen të kemi përfaqësues studentorë që më të vërtetë do ta ngrisin zërin e studentëve”, tha Softolli.

Zgjedhjet studentore do t’i paraprijnë zgjedhjeve të përgjithshme në UP të shpallura vitin e kaluar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

http://kallxo.com/neser-zgjedhje-studentore-sot-nuk-ka-liste-te-kandidateve/