Mungesë e Manteleve Sterile në QKUK

KALLXO.com mëson se në QKUK ka mungesë të manteleve sterile të cilët përdoren për ekipet e sallave të operimit.

Mungesa ka pasur për mantele të madhësive të mëdha dhe të mesme.

Këtë e konfirmuan edhe në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, ku thanë se për furnizim me mantele kanë bërë kërkesë që nga 16 shtatori.

“Kërkesat për furnizim nga ana e SHSKUK-së, janë shqyrtuar, aprovuar dhe dërguar me kohë në Agjencionin e Financimit Shëndetësor në Ministri të Shëndetësisë për të gjitha produktet dhe nevojat, derisa kërkesa për furnizim të rregullt me mantilla sterilë (Gown surgical disposable L&M)  nga ana e Barnatores Qendrore të QKUK-së janë proceduar me 16 shtator të këtij viti,” thuhet në përgjigjen e ShSKUK-së për KALLXO.com.

Edhe Spitali Rajonal i Mitrovicës është përballur me mungesa të vazhdueshme.

Në këtë spital kanë kërkuar që të bëhet urgjentisht furnizimi me dorëza ekzaminuese pasi që kanë pasur mungesa edhe në tre mujorin e tretë .

“Kërkesa për furnizim të rregullt me dorëza josterile (S,M.L) nga Barnatorja Spitalore e SP-Mitrovicë për tremujorin e tretë (TM3) janë proceduar me 28 qershor të këtij viti,“ thotë Zyra për Informim e Drejtorit të SHSKUK-së.

Nga ana tjetër, Ministria e Shëndetësisë shpjegoi se të gjitha kërkesat për furnizim me kontrata valide dhe konform planit të veprimit menjëherë pas pranimit nga SHSKUK, shqyrtohen dhe aprovohen nga Departamenti për Shërbime Farmaceutike në AFSH .

Por përderisa SHSKUK-ja thotë se kërkesat për mungesën e dorëzave ekzaminuese dhe manteleve sterile janë dërguar shumë më herët, ministria thotë se ato janë pranuar këtë muaj

Ministria e Shëndetësisë u pyet edhe për mungesat në spitalin e Prizrenit ku edhe aty mungojnë disa produkte mjekësore dhe materiale harxhuese.

“Me datë 15.11.16, kemi pranuar e-mail nga Barnatorja Qendrore e QKUK me kërkesën për sigurim të këtyre artikujve. Menjëherë  kemi kontaktuar OE-të nga të cilët kemi marrë konfirmime se furnizimet do të realizohen dhe sipas informatave që na janë përcjellë, një pjesë e furnizimeve tashmë janë realizuar dhe në ditët në vijim presim te sigurohen edhe artikujt e mbetur,” thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Ministria tha se procesi i furnizimit me barna dhe material shpenzues është një proces i vazhdueshëm dhe edhe pse kërkesat procedohen me kohë si nga SHSKUK-ja ashtu edhe nga Agjencioni i Financimit Shëndetësor, mungesat paraqiten si rezultat i faktorëve tjerë-buxhetit të pamjaftueshëm, ose dështimit eventual të ndonjë kompanie në import/transport të artikujve.