Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Mungesa e të akuzuarit dhe avokatit shtyn sërish gjykimin e shënjestruar për liberalizim të vizave

Ish-avokati Haxhi Çekaj dhe avokati i tij, Besnik Berisha, nuk u paraqitën në gjykimin ku Çekaj akuzohet për përfitim të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo tjetrin.

Kryetarja e trupit gjykues, Valbona Musliu- Selimaj, njoftoi se Çekaj e Berisha e kanë njoftuar se ende nuk kanë arritur të hyjnë në negociata me prokurorinë për pranimin e fajësisë.

Avokati Berisha në seancën e kaluar kishte paralajmëruar se i mbrojturi i tij, Haxhi Çekaj, dëshiron që të hyjë në negociata me prokurorinë për marrëveshje për pranim të fajëisë.

Ky rast i cili është i shënjestruar për liberalizim të vizave u caktua të mbahet më 16 maj.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Çekaj, në cilësinë e avokatit të të akuzuarit N.B., ndaj të cilit zhvillohet procedura penale në Gjykatën Themelore në Pejë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për veten apo për personin tjetër, ose për t’i shkaktuar dëme materiale personit tjetër, e ka mashtruar në kontinuitet të dëmtuarën M.I., nga data 06.01.2015 e deri më datën e arrestimit të tij më 15.02.2017.

http://kallxo.com/aktakuze-per-avokatin-e-dyshuar-per-mashtrim/

Çekaj ishte arrestuar gjatë pauzës së një seance në Pejë, në shkurt të vitit të kaluar.

http://kallxo.com/30-dite-paraburgim-per-avokatin-haxhi-cekaj/

Sipas aktakuzës, Çekaj kishte marrë para për mbrojtjen e N.B, babait të të dëmtuarës, në emër të mbrojtjes dhe në emër të ekspertizave, marrjes së një ekspertize nga Turqia, një shumë të përgjithshme prej 43 mijë euro.

Aktakuza sqaron se ish-avokati ka marrë nga e dëmtuara edhe shumën tjetër në emër të trupit gjykues të Gjykatës Themelore në Pejë prej 40 mijë euro, shumë kjo e konfiskuar nga ana e zyrtarëve me rastin e arrestimit të të pandehurit më 15 shkurt.

Dëmi i shkaktuar të dëmtuarës tejkalon shumën prej 50 mijë eurove.