Mungesa e Kuorumit Pengon Votimin e Rezolutës për Veriun

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë debatuar gjatë tërë pasdites në një interpelancë ndaj kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, për situatën në pjesën veriore të vendit, por kur erdhi radha e votimit të saj, nuk pati numër të mjaftueshëm të deputetëve për ta votuar.

Për pasojë, votimi u la që të bëhet në një nga seancat e ardhshme.

Para se të mbyllej seanca, parashtruesi i kërkesës, deputeti i Vetëvendosjes Ismajl Kurteshi tha se përgjigjet e kryeministrit Mustafa gjatë interpelancës “nuk premtojnë shumë”.

“Zhbërja e disa strukturave paralele, të cilat me urdhër të kryeministrit janë futur në listat e pagave pa punuar hiç, flet mjaftueshëm. Sa për Lagjen e Diellit, në vend që të veprojë qeveria, po angazhohet për legalizimin e saj”, tha Kurteshi duke iu referuar një vendbanimi për serbët në komunën e Zveçanit, e financuar nga qeveria e Serbisë.

“Nuk besojmë në integrim derisa Isa Mustafa nuk mund t’i integrojë as ministrat e tij, e ata shef e kanë Vuçiqin e jo Mustafën”, tha ai.

Në mocionin e tij, Kurteshi tha se qeveria e Kosovës duhet të veprojë në moslejimin e ndërtimit të atij vendbanimi duke e quajtur atë “lagje kolonizuese”.

Kërkesa e Ismajl Kurteshit ka qenë që qeveria të angazhohet për kthimin e shqiptarëve në këtë pjesë të Kosovës.

“Qeveria e Kosovës të ndërtojë planin pëë kthimin e shqiptarëve në veri dhe Kryeministri t’i raportojë kuvendit brenda 60 ditëve nga miratimi i kësaj rezolute”, tha Kurteshi.