Zgjedhjet | Foto: Atdhe Mulla

Mundësi Koalicioni LDK- VV në Vushtrri

Kandidati për kryetar komune nga Lidhja Demokratike e Kosovës Xhafer Tahiri ka takuar sot deputeten e Lëvizjes Vetëvendosje Aida Dërguti dhe ish-kandidatin për kreun e Vushtrrisë nga kjo parti Besim Muzaqin.

Ky takim është një mundësi për të arritur bashkëpunim të mundshëm për balotazhin e 19 nëntorit.

Këtë e ka bërë të ditur edhe vetë Tahiri përmes një fotografie të postuar në Facebook.

“Në vazhdën e takimeve konstruktive për ndryshimin e domosdoshëm në Vushtrri”, ka shkruar Tahiri fjalët që shoqëruan fotografinë e tij me përfaqësues të Vetëvendosjes.

Vetë Tahiri tha për KALLXO.com se ka mundësi marrëveshjeje koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje në Vushtrri.

“Është mundësia për marrëveshje pasi vullneti është i dyanshëm. Ndryshimi në qytetin e Vushtrrisë është i domosdoshëm”, tha Tahiri.

Në Vushtrri, sipas rezultateve të KQZ-së, Xhafer Tahiri i LDK-së është në balotazh me Ferit Idrizin, kandidatin e PDK-së për kryetar të kësaj komune.

Në zgjedhjet e 22 tetorit Tahiri fitoi 7842 vota, ose 25,64 për qind të votave të atyre që dolën në zgjedhje në Vushtrri.

Ferit Idrizi, kundërkandidati i Tahirit fitoi 10,184 vota, ose 33,29 për qind.

I treti në zgjedhjet lokale në Vushtrri u rendit Besim Muzaqi i Vetëvendosjes që fitoi 7679 vota, ose 25,10 për qind.