Kuvendi Komunal i Pejës - Foto: KALLXO.com

Muhaxheri Tregon Projektet që do të Realizohen në Pejë më 2018

Kryetari Gazmend Muhaxheri ka informuar asamblistët për projektet që do të realizohen gjatë këtij viti në territorin e komunës së Pejës.

Në mbledhjen e Asamblesë Komunale, Muhaxheri tha se projekti me fokusin më të madh do të jetë impianti për pastrimin e ujërave të zeza.

“Si projekt prioritar, e kemi në fokus si ma i madhi në komunën e Pejës, është impianti për pastrimin e ujërave të zeza. Tash po vendoset prej pozicionit fillestar që ka qenë, edhe ka mbet sot ose nesër mu vendos pozicioni i ri”, tha Muhaxheri.

Kryetari tregoi se fillimisht ky impiant ishte paraparë të vendosej në fshatin Gllaviqicë, mirëpo për shkak të dëmtimit të shtratit të lumit, ai pritet të ndërtohet mes lagjes “Dardania 3” dhe fshatit Gorozhdec.

Ndërrimi i lokacionit, sipas kryetarit të Pejës, do të ndikojë edhe në uljen e kostos së ndërtimit të impiantit.

Edhe rrjeti kryesor i kanalizimit do ndërtohet këtë vit në fshatin Tërstenik, duke përfshirë edhe fshatrat e tjerë të atij rajoni.

Kreu i Pejës tha se këtë vit do ndërtohen edhe tri shtëpi të reja, dy për komunitete dhe një për pensionistët e Pejës.

Kurse tek investimet në infrastrukturë, Gazmend Muhaxheri tha se gjysma e projekteve të vitit të kaluar kanë mbetur pa përfunduar.

“Kanë mbetur shumë rrugë të vitit të kaluar pa u përfunduar… Do të shkojmë me atë që të përfundohen komplet rrugët e kontraktuara vitin e kaluar e tek në fund me pa sa kanë mbetur mundësitë për t’i tenderuar dhe me ba rrugë të reja. Sepse kompanitë që kanë ofertuar, vitin e kaluar ka qenë vit zgjedhor kanë kërkuar shumë komuna edhe nuk kanë mujtë m’i kry punët”, tha Muhaxheri

Nga projektet në infrastrukturë u përmenden edhe disa në zonën e Rugovës dhe nëpër disa fshatra të Pejë.