MSA-ja Ul Taksën e Importit

Megjithatë, Dogana e Kosovës sipas raportit për 4 muajt e parë të këtij viti arriti të grumbullojë të hyra prej 296.6 milionë eurosh që përbëjnë një rritje prej 22 për qind krahasuar me katërmujorin e parë të vitit 2015, kur u mblodhën 240 milionë euro.

Ministri i Financave Abdullah Hoti tha se MSA-ja do të ndikojë në rritje të eksportit.

“Javën që shkoi kemi prezantuar raportin tremujor në qeveri, tani po e prezantojmë edhe muajin e katërt. Rezultatet janë shumë më të mira sesa që ne kemi planifikuar. Gjatë vitit kemi pasur mjaft ngjarje të rëndësishme është zbatimi i MSA-së,  i cili ka filluar prej datës 1 prill që do të ndikojë në rritjen e eksportit,” tha Hoti.

Drejtori i Doganës të Kosovës Lulzim Rafuna theksoi se të hyrat e vitit 2016 kanë pasur ngritje krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2015.

“Në vitin 2016 kemi inkasuar 22 për qind të hyra më shumë në krahasim me periudhën e njejtë të vitit të kaluar, ndërsa jemi 7.4 për qind mbi projeksionet e parashikuara për këtë katërmujor, ndërsa sa i përket taksave veç e veç kemi pasur rritje në të gjitha llojet e taksave duke e krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar,“ tha Rafuna.

Raporti përveç të hyrave përmban edhe zhvillimet e reja të Doganës siç është lidhja me Agjencinë për Regjistrimin e Biznesit ARBK përmes një sistemi të ri me të cilin eliminohen  procedurat burokratike, pasi  secili biznes i ri i regjistruar në ARBK automatikisht do të jetë i regjistruar edhe në Doganë.

Hapja e Zyrës së Doganës në Parkun e Biznesit në Drenas  dhe automatizimi i të ashtuquajturit “kanalit të verdhë” ku procedurat doganore të cilat më herët janë kryer nga oficerët doganorë tash e tutje do të procedohen nga vetë sistemi brenda 5 minutave, janë zhvillimet e reja të cilat ka filluar t’i impelentojë Dogana në vitin 2016.

Sipas raportit Dogana ka rritur edhe numrin e kundërvajtjeve për 36 për qind. Nga 340 sa ishin për katërmujorin e vitit 2015, arritën në 532 në vitin 2016, po ashtu ka rritje për 65 për qind të thirrjeve telefonike në numrat e përcaktuar për ankesa. Vitin e kaluar për periudhën katërmujore ka pasur 79 ankesa nga qytetarët, përderisa në këtë periudhë ky numër ka arritur në 138 thirrje.

Sipas raportit të Doganës gjatë fillimit të vitit 2016, për 3 raste korruptive të dërguara në prokuri janë të përfshirë 8 zyrtarë doganorë, brenda Doganës janë 10 raste disiplinore me gjithsej 18 zyrtarë, përderisa janë të suspenduar 8 zyrtarë doganorë.

Marrëveshja e MSA-së ka ndikuar që taksat doganore nga importi i vendeve të Bashkimit Europian për një muaj sa ka filluar implementimi i sajë të ulen për 300 mijë euro, përderisa nuk ka statistika të eksportit pas implementimit të kësaj marrëveshje.

Dogana pret që vitin 2016 ta përmbyllë me afër 80 milionë euro të hyra më shumë sesa në vitin 2015.