Foto: MPJ Shqipëri

MPJ e Shqipërisë Uron Kosovën për Zgjedhjet

Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë përshëndeti procesin zgjedhor të 11 qershorit në Kosovë dhe bëri thirrje për krijimin e shpejtë të institucioneve.

“Shprehja e vullnetit të lirë në një proces të drejtë e konkurrues përbën një tjetër provë solide të konsolidimit të demokracisë në Kosovë”, thuhet në deklaratën e MPJ-së.

Diplomacia shqiptare shpreh besimin se institucionet e reja do të krijohen së shpejti, “në përputhje me vullnetin e shprehur dhe kushtetutën e vendit, për t’iu përgjigjur përparësive, nevojave dhe sfidave të zhvillimit, përfshirë përshpejtimin e procesit të integrimit euroatlantik”.

“MPJ pret të vijojë sa më parë bashkëpunimin e ngushtë e të gjithanshëm me qeverinë e re, në të mirë të forcimit dhe zgjerimit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Kosovës, por edhe për të dinamizuar e konkretizuar më tej bashkëpunimin në kuadrin rajonal”, thuhet në deklaratë.