Foto: MPJ

MPJ: Burundi Nuk e ka Tërhequr Njohjen e Pavarësisë së Kosovës

Shefi i kabinetit të Ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Jetlir Zyberaj ka thënë për KALLXO.com se nuk është e vërtetet që shteti i Burundit ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës.

“Nuk është e vërtetë. Kjo është një përpjekje dëshpëruese, më tepër ndoshta vet-ngushëlluese për autoritetet në Serbi duke parë madhështinë e festimit të dhjetë vjetorit të Republikës së Kosovës”, tha Zyberaj për KALLXO.com.

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, ka deklaruar sot në mediat serbe se shteti i Burundit ka tërhequr njohjen ndaj Kosovës dhe e ka quajtur këtë “dhuratë për shtetin e ashtuquajtur Kosovë”.

Sipas Agjencisë së lajmeve serbe, Tanjug, Daçiqi në një konferencë të jashtëzakonshme për gazetarë ka paraqitur notën verbale të tërheqjes së njohjes së Kosovës nga Burundi.

“Këto ditë në Prishtinë shënohet dhjetëvjetori i shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës. E kam sjellë notën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Burundit ku ata tërheqin njohjen e Kosovës”, tha Daçiq në një konferencë të jashtëzakonshme.

Mirëpo sipas Zyberajt kjo nuk është e vërtetë, madje e ka ftuar Daqiçin të marrë pjesë në festën e pavarësisë.

“Daqiçi si përfaqësues i shtetit fqinj mund të shpreh dëshirën për të marrë pjesë në këtë festë dhe me siguri të plotë them se do ti japim fillimisht lejen, pastaj si dhuratë do ti japim deklaratën e pavarësisë, vendimin e GJND-së që legjitimon shtetësinë dhe notat verbale të shteteve që na kanë njohur”, tha Zyberaj për KALLXO.com.