Foto: Kallxo.com

Motra e të Vrarit Gjatë Luftës Dëshmon në Gjykimin e Skender Bislimit

Në gjykimin për krime lufte ndaj Skender Bislimit, i akuzuar për vrasjen e civilëve shqiptarë gjatë luftës në Kosovë, dëshmoi motra e të ndjerit, Haki Bajrami, për të cilin prokuroria pretendon se u arrestua nga njësitet paramilitare, pjesë e të cilave ishte edhe vetë i akuzuari.

Nasfie Breznica, e ftuar në cilësinë e dëshmitares nga prokurori Charles Hardaway, tregoi për vuajtjet e kaluara më 26 mars 1999, kur u ndaluan nga paramilitarët serbë tek udhëkryqi i Fushë Kosovës.

“Më 26 mars 1999 vëllai im i ndjeri Haki Bajrami me bashkëshorten Hasmie, me vajzën Drenushën, e cila në atë kohë ishte 9 muaj. Ne e lëshuam shtëpinë, isha unë me kunatën time Nailen, kunata Naile ishte me dy vajzat dhe djalin Bujarin, edhe kemi dalë kemi shkuar në udhëkryq- tani i thojmë Te Rrethi. Aty tani paramilitarët serbë kanë ndarë burrat në njërën anë”, tha Bajrami duke treguar për fyerjet e sharjet u bënë atë ditë, madje duke theksuar se burrave u kërkohej të këndonin këngë për Millosheviqin.

Ajo theksoi se kishte identifikuar tani më të akuzuarin Skender Bislimin në mesin e paramilitarëve, madje të armatosur.

Dëshmitarja deklaroi se në ditën kritike tek dera e shtëpisë së Skender Bislimit, i cili ishte fqinji i parë i tyre, ka qenë edhe një person i cili e ka lajmëruar Skenderin se po largohen nga shtëpia.

“Jashtë shtëpisë së Skenderit gjendej një rom i cili na pa duke braktisur shtëpinë. Menjëherë pas kësaj ai hyri në oborr duke ia përcjellë lajmin Skender Bislimit se ne e kishim lëshuar shtëpinë, këtë madje e dëgjova mirë me veshët e mi kur ai ia kumtoi lajmin. Pa dalë prej shpisë u ardhë një djalë i tyre 2 herë me kqyrë a jemi ne në shtëpi dhe lypke misër me ble, sepse ne shitshim misër”, deklaroi dëshmitarja.

Ajo tha se nuk i ka parë paramilitarët serbë duke ia marrë të vëllain, por se një lajm të tillë ia kishin kumtuar të afërmit.

Njëjtë si dëshmoi edhe gruaja e vëllait në seancën e kaluar. Dëshmitarja tha se pas luftës trupi i Hakisë ishte gjetur në një varrezë në Dragodan.

Në seancën e kaluar kishte dëshmuar gruaja e tani të ndjerit Haki Bajrami, Hasmie Bajrami, e cila kishte rrëfyer tmerret e përjetuara në ditën kritike kur edhe ia morën bashkëshortin. Ndërkaq, në seancën e radhës do të ftohen për të dëshmuar Shpresa Gërvalla dhe Haxhere Jashari.

http://kallxo.com/deshmitari-rrefen-si-u-rrahen-e-u-detyruan-te-kendojne-kenge-cetnike/

Prokuroria e EULEX-it pretendon se Bislimi së bashku me dhjetë persona të tjerë ngritën një pikë kontrolli në udhëkryqin e Fushë-Kosovës, ku maltretuan shqiptarët të cilët ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre tri ditë pasi NATO nisi fushatën e bombardimeve.

Prokurori pretendon se ka prova të mjaftueshme se Bislimi ishte së bashku me paramilitarët e tjerë kur u arrestuan Bujar e Haki Bajrami.

Sipas prokurorit, Bujar Bajrami kishte pasur fat pasi ishte njohur nga shoferi i automjetit – një fqinj i tij serb dhe ishte lënë i lirë. Fatin e njëjtë nuk e kishte Haki Bajrami, trupi i të cilit u gjet në një varrezë masive në Dragodan pas luftës.

Skender Bislimi, ish-pjesëtar i dyshuar i forcave paraushtarake të akuzuara për krime lufte gjatë dëbimit të banorëve të Fushë-Kosovës është deklaruar i pafajshëm për pretendimet se ai ka gisht në vrasjen e shqiptarëve dhe keqtrajtimin e tyre.

Skender Bislimi është ekstraduar në Kosovë nga Mali i Zi para disa muajsh.

Për krimet në Fushë-Kosovë për të cilat akuzohet Bislimi deri më tani gjykata ka dënuar një person, Ivan Radivojeviq, me 8 vjet burgim për këto ngjarje.

Sipas Prokurorisë, i dyshuari në bashkëkryerje me tani të gjykuarin Ivan Radivojeviq, kanë qenë pjesëtarë të një grupi paraushtarak serb, i cili në datën 26 mars të vitit 1999 te Stacioni i Autobusëve në Fushë-Kosovë kanë rrethuar civilët shqiptarë, kanë ndarë gratë dhe fëmijët nga burrat dhe kanë filluar t’i rrahin e torturojnë burrat.

Gjithnjë sipas pretendimeve të Prokurorisë, disa prej burrave me forcë janë detyruar të hipin në një automjet ushtarak dhe pastaj janë dërguar në drejtim të panjohur.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar nga ky proces gjyqësor.