Parashikimi i motit - Foto: KALLXO.com

Moti në Kosovë në 5 ditët e ardhshme

Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK), vendi ynë do të mbetet nën ndikimin e masave të nxehta të ajrit me presion të lartë atmosferik.

Gjatë ditëve në vijim këto masa të ajrit me presion të lartë do të ulen duke lëvizur rreth vlerave të normales. Temperaturat do të jenë për 2-3 gradë mbi vlerat e mesatareve.

“Si pasoj e temperaturave të larta dhe erërave që po fryjnë në pjesën perëndimore dhe jugperëndimore të kontinentit, kah mesi i javës ka mundësi të larta që në shumë pjesë të Kosovës të paraqitet pluhuri afrikan, i cili me vete, përpos reshjeve të shiut dhe rrufeve lokale, do të bartë edhe grimca të pluhurit, fenomene të zakonshme gjatë viteve të fundit”, thuhet në njoftimin e IHMK-së.

Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 6-10 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihet të lëvizin ndërmjet 23-26 gradë Celsius.

Indeksi UV mbetet i lartë kështu që nga ora 10-16 mundësisht të jemi më pak në kontakt me rrezet direkte të diellit.

Do të fryjë erë nga drejtimet e ndryshme, por që dominues parashihet të jetë drejtimi i jugperëndimit dhe shpejtësia e saj do të arrij deri 9m/s./21Media