Mot për Guinness, Temperaturat në Nivel Rekord

Tri vjetët e kaluara kanë qenë më të ngrohtat që nga fillimi i matjeve, ndërsa vala e nxehtësisë në Australi, temperaturat e larta në Arktik dhe mungesa e ujit në Kejptaun, dëshmojnë për vazhdimin e kushteve ekstreme të motit edhe gjatë vitit 2018, thuhet në raportin më të ri të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, shkruan rtv21.tv.

Organizata Botërore e Meteorologjisë, e cila vepron nën ombrellën e OKB-së, njoftoi se viti 2017 ka qenë viti me i shtrenjtë deri me tani sa i përket dëmeve të shkaktuara nga katastrofat natyrore, siç janë uraganet në Atlantik dhe vërshimet në Indi.

“Viti 2018 filloi aty ku përfundoi viti 2017, me kushte ekstreme të motit, të cilat po marrin jetë dhe po shkatërrojnë pronat”, thuhet në raportin vjetor të organizatës.

Në studim u konfirmua se viti 2016 ishte viti më i nxehtë që nga fillimi i matjeve në shekullin e 19-të, ndërsa viti 2015 dhe 2017 rreshtohen të barabartë në vendin e dytë.

Më tutje u theksua se emetimi i gazrave të dëmshme, si pasojë e aktiviteteve të njeriut, janë faktor kryesor që po i kontribuon kësaj situate.

Në raport theksohet se kompania gjermane për sigurim, Mjunih Re”, ka vlerësuar se katastrofat natyrore në vitin 2017 kanë shkaktuar një dëm në vlerë prej 320 miliardë dollarë, e që është një shumë rekorde, kur të llogaritet edhe inflacioni./21Media