Moszbatimi i Marrëveshjeve Kosovë-Serbi Mund të Provokojë Incidente

Pavarësisht se në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi janë nënshkruar disa marrëveshje, të cilat u patën cilësuar si të dhimbshme por të domosdoshme, megjithatë, ende nuk kanë kaluar vështirësitë.

Të paktën kështu vlerësohet në raportin e organizatës joqeveritare “Grupi për Ballkan”, në të cilin janë paraqitur të gjeturat dhe rekomandimet për dialogun Kosovë-Serbi.

“Pjesa e lehtë është kryer, puna e vështirë fillon tani”, tha Marko Prelec – drejtor ekzekutiv i Organizatës Joqeveritare “Grupi për Ballkan”.

Sipas tij, suksesi apo dështimi i normalizimit të marrëdhënieve në mes Prishtinës dhe Beogradit dhe integrimit të serbëve në Kosovë varet nga veprimet dhe vendimet e panumërta që do të merren në të ardhmen.

Naim Rashiti-drejtor i projektit, tha se vonesat e implementimit të marrëveshjeve mund të shkaktojnë incidente.

“Vonesat e mëtutjeshme çojnë drejt një status-kuoje të re dhe do të vonojnë normalizimin e marrëdhënieve, ndoshta do të krijojnë situata ku mund të provokohen edhe incidente të sigurisë”, tha Rashiti.

Ai tha se duhet të hiqen pengesat me motive politike. Sipas tij, asociacioni i komunave serbe duhet të jetë për komunitetin e jo për Beogradin.

Më tutje ky grup  rekomandon integrim të plotë në nivel komunal që kërkon veprime nga ana e të dyja vendeve.