Konferenca e "Demokracisë Plus" | Foto: KALLXO.com

Mostransparenca e Shpenzimeve të Fushatës Dëmton Demokracinë

Në konferencën e organizatës “Demokracia Plus” në lidhje me transparencën e subjekteve politike rreth shpenzimeve të fushatës u tha se këto subjekte nuk po janë të hapura për publikun.

Nermin Nisic, shef i Zyrës së IFES për Kosovë tha se shoqëria civile ka rol të rëndësishëm kur vjen puna te mbikëqyrja e financave publike.

“Shoqëria civile ka një rol shumë të rëndësishëm kur vjen puna te mbikëqyrja e financave politike. Përpjekjet janë të rëndësishme për të gjurmuar shpenzimet e parave nga  ana e partive politike”, tha Nisic.

Fitim Mulolli nga Fondacioni Britanik në Kosovë, tha se nuk mund të thuhet se ka proces demokratik dhe të drejtë zgjedhor, nëse nuk kemi transparencë për shpenzimet në fushata zgjedhore.

“Nëse mungon transparenca në  financimin e partive dhe shpenzimeve të atyre mjeteve atëherë kjo mungesë  e transparencës e dëmton demokracinë si tërësi. Nuk mund të themi se kemi proces demokratik dhe të drejtë zgjedhor nëse nuk kemi  transparencë në shpenzimin e fushatave zgjedhore”, deklaroi Mulolli.

Disa nga përfaqësuesit e subjekteve politike që ishin prezentë në këtë takim thanë se janë duke e bërë gati raportin për ta dërguar në KQZ.

Vjosa Sheholli nga PDK-ja, shtoi se prej mbajtjes së zgjedhjeve kanë afat 45 ditë për ta përgatitur raportin me shpenzimet që i kanë bërë për zgjedhje.

“PDK që nga themelimi i saj e deri më tani i ka dorëzuar në KQZ të  gjitha raportet financiare. Siç e dimë ne si subjekte  politike në pajtim me ligjin kemi 45 ditë afat që nga  mbajtja e zgjedhjeve që të dorëzojmë në KQZ raportet e  shpenzimeve tona për fushatë. PDK është në përgatitje  të këtij raporti”, tregoi Sheholli.

E Ilir Cacaj nga Vetëvendosje, tregoi që Vetëvendosja 6 vjetët e fundit ka qenë subjekti i vetëm transparent dhe se është kujdesur që financat e subjektit t’i trajtojë si financa publike.

“Financat e subjekteve politike janë financa publike.. Lëvizja Vetëvendosje në 6 vitet e fundit ka qenë subjekti i vetëm transparent dhe këtë ju e dini dhe duhet ta thoni, jo për të na lëvduar neve, por për të treguar që mund të bëhen transparentë. Mund tua japim edhe përvojën se si kemi arritur”, tha Cacaj, deklaratën e të cilit e konfirmoi edhe Isuf Zejna nga D+.

Ndërkaq, Albert Krasniqi, nga KDI-ja, tha se partitë politike nuk e kanë përfillur thirrjen e organizatave për publikim të raporteve financiare.

Ai shtoi se kur është bërë thirrja nga ndërkombëtarët, partitë i kanë publikuar raportet, por se tashmë i kanë larguar përsëri.

Shefja e Zyrës së BE-së Natalya Apostolova u kishte kërkuar subjekteve politike të bëjnë publike financat.

http://kallxo.com/kerkohet-te-dihet-si-po-financohen-partite/

Arton Demhasaj, nga Lëvizja Çohu, dha propozim që subjektet të financohen vetëm nga buxheti që ndan KQZ-ja dhe anëtarësia.