Gjykimi për vrasje në tentativë | Foto: KALLXO.com

Mosmarrëveshja për Dërrasat që Mund të Përfundonte me Vrasje

Në procesin gjyqësor ku Mehmet Jashari akuzohet për vrasje në tentativë dhe armëmbajtje pa leje, dëshmuan Shkëlzen e Isuf Tërholli, të dëmtuar në këtë gjykim.

Jashari, akuzohet nga prokuroria se më 7 korrik të vitit të kaluar në Batllavë për shkak të një mosmarrëveshjeje të mëhershme me vëllezërit Isuf, Shkëlzen dhe Lorik Tërholli dhe një fjalosjeje të shkurtër me ta, ka shtënë me armë fillimisht në drejtim të tokës.

Në pas, sipas aktakuzës, Jashari qëlloi edhe në drejtim të rrotave të automjetit të vëllezërve Tërholli, kur ata dolën nga ky automjet dhe më pas e dëmtoi atë.

Isuf Tërholli tha se problemet me të akuzuarin Mehmet Jashari nisën për shkak të disa dërrasave.

Këto dërrasa sipas Isuf Tërhollit, Jashari ia kishte dhënë atij, ngase vëllezërit Tërholli janë mjeshtër ndërtimi, por më pas nuk i kishte pranuar duke thënë se i këni dëmtuar.

“Kur ia ktheva dërrasat, Mehmeti ishte i nervozuar shumë, më tha ‘Mi ke vonuar dhe mi paske dëmtuar shumë. Merri nuk më duhen dhe nuk dua më asgjë prej juve’. Nga ajo ditë nuk jemi parë më deri në ditën kritike”, tha Isuf Tërholli në gjykatë.

“Ato dërrasa kishin qenë sherr”, shpjegoi më tutje Tërholli.

Dëshmitari pastaj tregoi se më 7 korrik 2016 Mehmet Jashari kishte qëllim ta vriste.

“Në ditën kritike ai ishte i fshehur pas një peme, doli nga ana e djathtë. Unë e ndala automjetin pasi që e njihja dhe i thashë: O baci Mehmet. Ai tha ‘Kush jeni ju’, pa ditur asgjë ma drejtoi armën. I ka shku gishti me më vra, por nuk i shkrepi arma.Qëllimi i tij ishte mu me më vra”, tha Isuf Tërholli.

Tërholli tha se kërceu nga makina për të shpëtuar.

“Unë hapa derën dhe kam kërcyer nga automjeti duke ikur. Ai ka shtënë me armë në drejtim timin”, tha Tërholli.

I akuzuari Mehmet Jashari u deklarua i pafajshëm për vrasje në tentativë, ndërsa pranoi fajësinë për armëmbajtje pa leje.

Edhe Shkëlzen Tërholli, dëshmitari tjetër i këtij procesi ditën kritike e përshkroi thujase njësoj si vëllai i tij Isufi.

“Unë kam qenë me Isuf dhe Lorik Tërhollin vëllezërit e mi. Personi ka dalë fshehurazi dhe ka shtënë me armë në drejtim të vëllait Isufit, pastaj ka shtënë në drejtim të neve dyve. Pasi që ne ikëm, ai vazhdoi ta dëmtojë automjetin duke i thyer pasqyrat, xhamin e përparëm dhe 4 gomat i ka shpuar me plumba të revoles”, tha Shkëlzen Tërholli.

Ai shfaqi lehtësim që predhat nuk e goditën vëllanë e tij Isuf Tërhollin.

“Vëllau Isufi ishte duke vozitur, pasi gjuajti së pari në tokë ne dolëm nga vetura, Mehmeti ka gjuajtur në Isufin 2 herë tjera, fatmirësisht plumbi nuk e ka goditur”, tha Shkëlzen Tërholli.

Vëllezërit Tërholli kishin punuar në shtëpinë e të akuzuarit Mehmet Jashari.

Prokuroria e pyeti Isuf Tërhollin se si ishte sillur Mehmet Jashari në kohën sa punonit në shtëpinë e tij.

“Mirë shumë, edhe më pas i kemi kryer punë rreth shtëpisë, i kemi ndezur stufën e gjëra tjera, pasi që ai jetonte vetëm”, tha Isuf Tërholli.

Seanca e radhës e këtij gjykimi është caktuar më 1 qershor. Atë ditë pritet të dëshmojnë Lorik e Nexhmedin Tërholli.