Flamuri i Bashkimit Europian. Foto: Kirsty Wigglesworth/AP

“Momenti i Ri për Zgjerimin në BE: Çfarë Mund të Përfitojë Kosova”

Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur sot mban konferencën “Momenti i ri i zgjerimit në BE: Çfarë mund të përfitojë Kosova”.

Kjo konferencë do të mbledhë së bashku diplomatë, politik-bërës, përfaqësues nga mediat dhe shoqëria civile.

Qëllimi i kësaj konference është që t’i vihet fokusi i merituar rrugëtimit të Kosovës në integrimin evropian në kohën kur vendi është duke e shënuar dhjetëvjetorin e shtetësisë së tij. Meqë 2018 është viti i fundit i mandatit të këtij Komisioni të udhëhequr nga Jean Claude Juncker, ka pritshmëri për një angazhim të përtërirë të BE-së ndaj vendeve të Ballkanit perëndimor si dhe për një dinamikë më të fuqishme të procesit të zgjerimit.

Në këtë ngjarje, Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur, në bashkëpunim me Augustin Palokaj dhe Gjeraqina Tuhina, do të prezantojnë publikimin “Momenti i ri për zgjerimin në BE: Çfarë mund të përfitojë Kosova”. Ky publikim do të shërbejë si udhëzues në diskutimin e strategjisë së Komisionit Evropian për ri-afirmimin e procesit të zgjerimit, si dhe zhvillimeve tjera që priten në vitin 2018.

Pjesë e panelit të diskutimit do të jenë: Sh. S. Nataliya Apostolova, Përfaqësuese Speciale e BE-së në Kosovë, Dhurata Hoxha, Ministre e Integrimit Europian dhe Venera Hajrullahu nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile.