Momente të Vogla Fitoreje për Kosovën

Kosova është duke ndryshuar, ndonëse frustrimi ynë kolektiv nganjëherë na bën të duket sikur asgjë s’ka lëvizur përpara. Zgjedhjet e verës ishin si një akullnajë kur shkrihet: strukturat e vjetra të fuqisë janë duke u lëkundur dhe është vështirë të hamendet edhe sa gjatë mund ta mbijetojë kjo qeveri debaklin e demarkacionit dhe dialogut Kosovë-Serbi.

Ndonëse Kosova ka mbështetur Ramush Haradinajn kur ai përballej me akuza për krime lufte në Hagë, në mandatin e tij të ri si Kryeministër, kosovarët e përqeshën dhe kritikuan vendimin e tij për t’ia rritur vetes pagën për “të blerë më shumë kravata e këmisha”, siç tha ai vet. Pas kësaj deklarate, ai u përshëndet nga qindra kravata të lidhura në gardhin e ndërtesës kryesore të qeverisë së Kosovës.

Në shumë aspekte situata aktuale duket sikur të jetë pjesë e një lufte të vjetër në mes të qytetarëve të pakënaqur dhe politikanëve të korruptuar. Por ne ia kemi borxh vetes që të marrim frymë thellë dhe të shikojmë se si në fakt peisazhi ynë ka ndryshuar. Dekada e parë e pavarësisë së Kosovës ka qenë e mbushur me momente tjera të lëvizjes së tokës nën këmbët tona, gjë lehtë për t’u harruar në vendin tonë të prirë për tërmete:

Aktivistët organizuan një Paradë të Krenarisë në tetor 2017, gjë që do të ishte e pamundur vetëm disa gjenerata më herët, e lë më një kaq të bujshme, përplot ngjyra dhe pa marre si parada e parë në Kosovë.

Aktivizmi feminist arriti të çojë në dënim më të madh për Nebih Bytyçin, vrasësin e Zejnepe Berishës dhe u sigurua që emri i saj s’do të harrohej.

Pas vite të politizimit të çështjes, pas një rezistence të gërditshme në kuvend dhe sulmit fizik të deputetes Nazlie Bala, të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës më në fund mund të aplikojnë për pensione sociale si viktima civile të luftës.

Për herë të parë, ajri toksik i Prishtinës më në fund e bëri të prekshme shkatërrimin ambiental në Kosovë. Pas pakënaqësive dhe protestave që kërkonin ajër të pastër, parlamenti i Kosovës aprovoi një rezolutë pasi që diskutoi ndotjen, veturat dhe varësinë tonë kombëtare në energji të prodhuar nga qymyri.

Në vitin 2014, studentët e Universitetit të Prishtinës arritën që  të bënin presion në rektorin e korruptuar Ibrahim Gashi i cili dha dorëheqje. Ndonëse mandati i rektorit reformues Ramadan Zejnullahu nuk zgjati shumë, në 2018 profesorët po turpërohen për plagjiaturë dhe madje po i humbin titujt.

Deputeti rom Kujtim Paçaku doli në parlament dhe kërkoi falje nga kolegët e tij shqiptarë për komentet raciste dhe denigruese që i kishin bërë dy zyrtarët e PDK-së Adem Grabovci dhe Safete Hadërgjonaj.

Po këto momente janë vetëm momente, asnjëri prej tyre s’kanë sjellë ndryshim permanent. Por megjithatë ata na duhen shumë, nëse për asgjë tjetër për të pohuar dinjitetin tonë kolektiv dhe për të imagjinuar çfarë shoqërie duam të ndërtojmë – nëse jo për veten tonë, atëherë për ata që do të vinë pas nesh.

A mundemi ne, për shembull, ta paramendojmë një udhëtim nacional në të cilin ne jemi partnerë me aleatët tonë perëndimorë, e jo të nënshtruarit e tyre? Izolimi i Kosovës nga pjesa tjetër e botës nuk është një aksident, është zgjedhje politike. Ndonëse shumica e shteteve të BE-së na e kanë njohur shtetësinë, ata nuk na donë askund afër vendeve të tyre. Kjo është më se e qartë. Përtej çështjes se liberalizimit të vizave, kosovarët kanë paguar një çmim të madh njerëzor në reaksionin global kundër emigrantëve: ne duhet t’i kujtojmë mësimet nga tragjedia e lumit Tisa, deportimin e dhunshëm të Leonarda Dibranit dhe krizat e azili-kërkimit në vitet 2014 dhe 2015.

Këto mësime e bëjnë dhimbshëm të qartë se ne nuk jemi të mirëseardhur në ‘familjen europiane”, jo me gjithë mend. Të rritemi si komb dhe të pranojmë faktin se miqtë tanë ndërkombëtarë nuk janë duke menduar për neve. Ne jemi vet përgjegjës për fatin tonë kolektiv. Po të pyetesha unë, nuk shoh ndonjë vlerë për të kopjuar një botë perëndimore që dita ditës po dashurohet më shumë në kufij, mure dhe përjashtimin e njerëzve mu sikur ne. Atëherë pyes, pse s’mundemi të paramendojmë diçka më të mirë se anëtarësimi në BE- diçka si siguri, mirëqenie shoqërore, dhe legjitimitet institucional?

Pyetja ime e dytë është se kush do të mund të na udhëhiqte për këtë vendin tjetër? A mund të paramendojnë se si do të dukej ky person? Në vitin 2014, unë shkrova një artikull fallco për zgjedhjen e Dritës si kryeministre e Kosovës në vitin 2050. Ajo është gjithçka që udhëheqësit tanë aktualë nuk janë dot: modeste, e mëshirshme dhe në gjendje të sakrifikohet. Ky është vizioni im. Cili është i yti?