Foto: Facebook

Molliqaj: Jo Koalicion me PDK-në, Po me LDK-në, por Pa Mustafën

Sekretari organizativ i VV-së, Dardan Molliqaj, tha se sipas anketës, me 26% të mbështetjes Vetëvendosje lë prapa subjektet e tjera politike siç janë PDK, LDK, NISMA, AAK, AKR…

Sipas Molliqajt, nga ky sondazh vërehet po ashtu se Vetëvendosje është subjekti që ruan më së shumti votën dhe atë në përqindje prej 92.7%.

Ndërsa, nga lëvizjet e votuesve më së shumti votues në VV vijnë nga dy partitë e koalicionit qeveritar: 9.1% nga LDK dhe 8.2% nga PDK.

I pyetur për mundësinë e organizimit të zgjedhjeve, Molliqaj tha se nuk di ndonjë datë të caktuar por theksoi se Kosova ka probleme ekonomike, politike dhe institucionale.

“Nuk e di a ka me pasë zgjedhje. Unë çka po shoh është që Kosova është në një problem shumë të madh edhe politik edhe ekonomik edhe institucional. Nuk besoj që dikush mundet me i përjashtu zgjedhjet e parakohshme. Unë personalisht nuk e di as datën as mundësinë e atyre zgjedhjeve”, tha ai, duke shtuar se Lëvizja Vetëvendosje është e gatshme për zgjedhje.

Po ashtu, Molliqaj foli edhe për koalicionet e mundshme mes Vetëvendosjes dhe partive të tjera në Kosovë.

“Mendoj që na kemi qenë bukur të qartë me qëndrimet tona politike. Ne qëndrimet tona politike nuk mund t’i ndërrojmë mund t’i ndryshojmë. Ju e dini se koalicionet nuk ndodhin me subjektet e njëjta. Në Kosovë nuk është situata më e mira në raport me Vetëvendosjen. Ne nuk kemi partner natyral ose të afërt për shkak se qëndrimet tona por edhe rruga jonë qysh jemi bo dallon nga të tjerët. Na duhet me ndërtu Qeverinë dhe ajo do bazohet në bazë të dy kritereve: me përzgjedh subjektin që i ka bërë më së paku dëm Kosovës dhe e dyta, subjekti që është më së lehti me bashkëqeverisë”, shtoi Molliqaj.

Ai e përjashtoi mundësinë për një koalicion me PDK-në, ndërsa shtoi se nëse VV duhet ta formojë Qeverinë, mund të bashkëqeverisë me LDK-në por pa kreun e saj.

“Ajo që është e qartë për neve është që PDK duhet me qenë në opozitë. Nuk ka kuptim që krejt ky ndryshim që ndodh dhe krejt votuesit që e votojnë Vetëvendosjen e ti me u kthy e me bo koalicion me subjektin i cili ka qenë për 10 vjet në Qeveri. Për një mandat qeverisës PDK është e përjashtuar në kuptimin për me ndërtu institucione sepse nuk ka mundësi me u kanë prapë në qeverisje dhe PDK nuk do të jetë pjesë as e diskutimeve e as e ndërtimit të mundshëm qeveritar në rast të fitores së VV-së. Nëse Vetëvendosja duhet me ndërtu Qeverinë e vetmja mënyrë është që duhet me bashkëqeverisë me LDK por me një kusht: që mos të jetë Isa Mustafa”, tha ai.