Dardan Molliqaj në Debat pernime. Foto: Atdhe Mulla

Molliqaj i Del Krah Aida Dërgutit

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Dardan Molliqaj, i është vënë mbrojtje koleges së tij, Aida Dërgutit, e cila sikurse edhe ai kanë dhënë dorëheqje nga strukturat e Vetëvendosjes.

Molliqaj ka reaguar pas publikimit të një fotografie në të cilën deputetja Dërguti shihet bashkë me nënkryetarin e PDK-së, Xhavit Halitin.

Pas publikimit të kësaj fotoje në adresë të Aida Dërgutit ka pasur komente fyese dhe dyshime se ajo do t’i bashkohet PDK-së.

Në profilin e tij në “Facebook”, Dardan Molliqaj ka shkruar se e ardhmja do dëshmojë se kush do të përfundojë te PDK-ja. “Definitivisht ajo nuk do të jetë Aida”, ka shkruar ai.

Ky është postimi i plotë i Molliqajt:

“Aida Dërguti që jetën ia kushtoi çlirimit dhe zhvillimit të vendit tonë, prej angazhimit në UÇK e deri sot, vazhdon të jetë një prej njerëzve që nuk do të ndalen në përpjekjen kundër krimit dhe korrupsionit në Kosovë.

E ata që i kanë hequr vijat e kuqe ndaj PDK-së kurse sot i akuzojnë shoqet e shokët e tyre më të mirë për tradhti, nuk po bëjnë asgjë më shumë se sa që po e shpërfaqin hipokrizinë e tyre.

Por e ardhmja do ta dëshmojë se kush do të përfundojë tek PDK-ja. Definitivisht ajo nuk do të jetë Aida”.