Konferenca e "Vetëvendosjes" | Foto: KALLXO.com

Molliqaj: Dëshmitarët Kundër Aktivistëve Shitës Ambulantë

Një javë para se të nisë procesi gjyqësor kundër katër aktivistëve të “Vetëvendosjes” të dyshuar për sulmin në Kuvend, sekretari organizativ i këtij subjekti politik Dardan Molliqaj kontestoi besueshmërinë deklaratave të dy dëshmitarëve të dhëna në polici.

“Dy dëshmitarët janë shitës ambulantë,të cilët u ikin taksave në Kosovë, kështu që dëshmitarët e tillë nuk janë kredibilë, të cilët e mashtrojnë shtetin gjatë gjithë kohës, në asnjë moment nuk munden me qenë dëshmitarë kredibilë,” tha Molliqaj.

Sipas Molliqajt, njëri nga dëshmitarët në deklaratën e tij ka thënë se motorin ua ka shitur tre personave me dialekt nga Rahoveci të cilët i kishte përshkruar me gjatësi të njëjtë.

Molliqaj tha në konferencë se aktivistët e akuzuar janë të gjithë nga Prishtina, nuk kanë gjatësi të njëjtë të shtatit dhe nuk e njohin të folmen rahoveciane.

Policia e Kosovës më 31 gusht 2016, një ditë pasi arrestoi për sulmin në ndërtesën e Kuvendit gjashtë aktivistë të Vetëvendosjes, doli me të dhënat se disa prej tyre e kanë blerë një motor, i cili është përdorur për të ikur pas sulmit dhe më pas i njëjti është tentuar të digjej.

http://kallxo.com/motori-dhe-telefoni-rendojne-mbi-te-arrestuarit/

Molliqaj më tutje foli edhe për Astrit Deharin. Tha se ai është arrestuar vetëm pse ishte shok i Atdhe Arifit e Egzon Halitit, dy të akuzuarve për sulmin e 4 gushtit të vitit të kaluar në ndërtesën e Kuvendit.

Sipas Molliqajt kur Policia dhe Prokuroria e Kosovës bënë kallëzimin penal ndaj aktivistëve aty shkruan edhe këto fjalë:  “Me fotot me shokët e tij në rrjetin social Facebook ku shihet se i dyshuari Atdhe Arifi shihet se shoqërohet me të dyshuarin Astrit Dehari dhe Egzon Haliti”.

Astrit Dehari vdiq në Qendrën e Paraburgimit në Prizren më 5 nëntor të vitit 2016 derisa po mbahej në paraburgim në lidhje me sulmin në Kuvend.

Molliqaj paralajmëroi padi ndaj ministrave të Punëve të Brendshme e Drejtësisë dhe prokurorëve e gjyqtarëve që po hetojnë vrasjen e Deharit dhe që caktuan paraburgimin e tij

Për sulmin në ndërtesën e Kuvendit aktakuza për terrorizëm ndaj Atdhe Gashit, Frashër Krasniqit, Egzon Halitit dhe Adea Batushës u ngrit më 29 dhjetor të vitit të kaluar.

Atë ditë prokuroria pushoi hetimet ndaj Petrit Ademit për mungesë provash dhe ndaj Astrit Deharit për shkak të vdekjes së tij.

http://kallxo.com/aktakuze-per-terrorizem-ndaj-aktivisteve-te-vetevendosjes/

Procesi gjyqësor ndaj katër të akuzuarve pritet të nisë më 25 janar.

http://kallxo.com/25-janar-seanca-per-sulmin-kunder-kuvendit-te-kosoves/

Redaktoi: Bekim Muhaxheri