Foto: BE

Mogherini: Progresi në Integrim Lidhet me Progresin në Dialog

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian, Federika Mogherini, mirëpriti rezultatet e takimit të sotëm ndërmjet presidentëve të Kosovës e Serbisë, Hashim Thaçi e Aleksandar Vuçiq, në Bruksel ndërsa shprehur mbështetjen e BE-së për këtë proces që duket se ka kaluar në një fazë të re të zhvillimit.

Në deklaratën e lëshuar pas takimit, Mogherini e cila ka ndërmjetësuar dhjetëra takime të nivelit të lartë në kuadër të këtij dialogu tha se Thaçi e Vuçiq shprehën angazhimin e tyre nga takimi i fundit i zhvilluar më 3 korrik dhe u pajtuan që të vazhdojnë në punojnë për fazën e re të këtij dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë

“Puna në këtë drejtim do të vazhdojë në javët në vijim”, thuhet në deklaratën e Zyrës së Mogherinit.

Në deklaratë thuhet se të dyja palët janë pajtuar për hapat përfundimtarë në zbatimin e marrëveshjes për drejtësinë të arritur në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE.

“Presidentët konfirmuan se marrëveshja duhet ët implementohet tërësisht më 17 tetor 2017”.

“Atë ditë, gjykatësit, prokurorët dhe stafi gjyqësor do të integrohen në gjyqësorin kosovar. Integrimi i personelit gjyqësor do të mundësojë që drejtësia të ofrohet në tërë Kosovën dhe në veçanti në rajonin e Mitrovicës”, thuhet në deklaratë..

Përfaqësuesja e Lartë mirëpriti përkushtimin e shprehur sërish nga të dy presidentët ndaj procesit. Ajo theksoi se BE dhe ajo personalisht janë plotësisht të përkushtuar për perspektivën europiane të Serbisë, Kosovës dhe mbarë rajonit dhe se progresi i të dyja palëve është i lidhur fort me progresin në dialog.

Ndërsa kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për gazetën Jeta në Kosovë ditë më parë e ka quajtur “të vdekur” dialogun Kosovë- Serbi.

Albin Kurti: Gjërat që na Bashkojnë e na Ndajnë me LDK-në