Mogherini Pret Takime Tjera Kosovë- Serbi në Ditët e Ardhshme

Në një deklaratë të lëshuar pas takimit, Mogherini u shpreh e inkurajuar me rezultatet e një takimi të cilin e prodhoi një krizë e madhe në raportet mes dy vendeve.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi e kryeministri Isa Mustafa u takuan në Bruksel me homologët e tyre serbë, Tomislav Nikoliq e Aleksandar Vuçiq.

Ky është takimi i parë i një niveli kaq të lartë për Kosovën në Bruksel për këtë vit dhe i pari qëkur raportet e Kosovës me Serbinë u tensionuan si pasojë e një treni me simbole nacionaliste serbe që u nis nga Beogradi drejt Mitrovicës së Veriut, por u ndalua të hyjë në territorin e Kosovës.

“Dua t’i falënderoj ata për takimin shumë të hapur dhe konstruktiv që patëm. Ata diskutuan për zhvillimet gjatë ditëve të fundit, u pajtuan t’i lënë prapa tensionet dhe të fokusohen në punën që i pret”, tha Mogherini në një deklaratë pas takimit.

Ajo tha se në këtë takim ka nënvizuar se progresi në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është esencial për Kosovën dhe për Serbinë, për vetë Bashkimin Europian dhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor në tërësi.

Sipas Mogherinit, avancimi në dialog është çelës për të dyja palët që të ecin përpara në rrugët e tyre respektive drejt BE-së.

“Jam e inkurajuar nga lidershipi, vizioni dhe angazhimi i treguar nga liderët politikë për t’i adresuar dhe zgjidhur përmes dialogut çështjet që i brengosur të dyja palët”, tha ajo.

Mogherini shtoi se të dyja palët u pajtuan që ta çojnë dialogun përpara “në frymë të respektit, bashkëpunimit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë”.

“Diskutimi ndërmjet palëve do të intensifikohet në ditët e ardhshme. Ne vendosëm të kemi një seri të raundeve të dialogut të nivelit të lartë, duke filluar nga ditët e ardhshme”, tha ajo.

“Dua edhe një herë t’i falënderoj Presidentët dhe Kryeministrat për hapjen e dhe përkushtimin e fuqishëm të tyre për dialog. Ne tani do ta ojmë përpara punën e pajtuar në mënyrë konstruktive dhe konkrete në të mirë të të gjithë njerëzve në Serbi e Kosovë, duke avancuar konkretisht në rrugët e tyre europiane”, tha ajo.

“Si lehtësuese e dialogut, unë do të vazhdoj të jem personalisht gjithmonë e përfshirë në mbështetjen e zbatimit të plotë të rezultateve, marrëveshjeve të arritura dhe progresit të mëtejmë në normalizimin e arrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha Mogherini