Mogherini: Integrimi i Kosovës, Rrugë e Gjatë dhe e Komplikuar

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka ardhur sot në Prishtinë, siç tha, për ta festuar arritjen e djeshme, vendimin me të cilin Komisioni Evropian ua hapi rrugën kosovarëve për të udhëtuar pa viza në zonën Shëngen.

Pas takimit me kryeministrin Isa Mustafa, shefja e diplomacisë evropiane tha se kjo është një arritur e përbashkët e kosovarëve dhe Bashkimit Evropian.

“E ndaj me ju festën që e kemi pritur gjatë dhe është një punë e përbashkët që e kemi bërë për një kohë të gjatë. E di që ka qenë e shumëpritur nga kosovarët dhe do të ketë ndikim pozitiv ne jetën e përditshme të kosovarëve dhe në sferën politike”, tha Mogherini.

“Kosova është Evropë dhe ne jemi duke punuar në integrimin evropian të Kosovës, hap pas hapi. Është një rrugë e gjatë dhe në disa raste e komplikuar. Por ne fillojmë nga themelet, nga historia dhe gjitha gjërat tjera. Ky vend është në zemrën e kontinentit”, u shpreh ajo.

Por ajo u shpreh se Kosova duhet ta vazhdojë dialogun me Serbinë.

“Dialogu është mënyrë e forcimit të shtetit për çdo ditë, askush nuk mund ta mohojë këtë”, tha Mogherini.

Ndërsa kryeministri Mustafa tha se e ardhmja e Kosovës është në gjirin e familjes së madhe evropiane dhe se kosovarët e shohin Evropën si “shtëpinë e tyre të përbashkët me të gjithë evropianët tjerë”.

“Liberalizimi i vizave është një arritur e madhe e Kosovës. Ky vendim historik për ne përfundimisht nxjerr Kosovën nga izolimi dhe bashkë me MSA krijon një ambient për progres”, tha Mustafa.

Ai tha se kosovarët duhet t’i plotësojnë modalitetet e lëvizjes së lirë prandaj premtoi se qeveria e tij do të flasë me qytetarët e vet për këto modalitete.

“Kemi biseduar për forcimin e marrëdhënieve fqinjësore të Kosovës përfshirë edhe dialogun me serbinë, por Serbia duhet të heqë dorë nga pengesat që po i bën Kosovës për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare. Kosova ka nevojë për Evropën por edhe Evropa do të jetë më e plotë me Kosovën”, tha Mustafa

Komisioneri për Punë të Brendshme, Dimitris Avramopoulos, nga ana e tij, tha se Kosova i ka përmbushur të gjitha parakushtet për liberalizim të vizave por kërkoi që Kosova ta ratifikojë marrëveshjen për demarkacion me Malin e Zi deri në ditën kur Këshilli Evropian dhe Parlamenti Evropian ta shqyrtojnë rekomandimin për liberalizim të bërë dje. Kosova gjithashtu duhet të tregojë shenja të luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Nuk është e largët dita kur së bashku do të shohim rezultate në fushën e përafrimit me BE-në”, tha Avramopoulos.

Ai ka kërkuar nga qeveria që të fillojë fushatën vetëdijesuese që kosovarët të mos e keqpërdorin liberalizimin.