Mogherini Flet me Thaçin e Vuçiqin pas Vrasjes së Oliver Ivanoviqit

Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të jashtme e Bashkimit Europian, Federica Mogherini, foli sot në telefon me presidentet Thaçi e Vuçiq pas vrasjes së Oliver Ivanoviqit në Mitrovicë të Veriut.

Siç thuhet në komunikatën e BE-së, Përfaqësuesja e Lartë dënoi vrasjen dhe u shprehu ngushëllime familjes dhe miqve të Ivanoviqit.

Ajo nënvizoi pritjet që autoritetet relevante për sundim të ligjit në Kosovë nuk do të kursejnë asnjë përpjekje për t’i gjetur kryesit e vrasjes dhe t’i sjellin ata para drejtësisë pa vonesë.

Në komunikatë thuhet se EULEX do t’i mbështesë autoritetet në përputhje me mandatin e vet.

Mogherini gjithashtu u bëri thirrje të gjitha palëve të tregojnë qetësi dhe përmbajtje dhe të bëjnë të mundur që sundimi i ligjit ta ketë rrjedhën e vet.