Mogherini: Asociacioni Duhet të Formohet

Në fjalimin e saj para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, shefja e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini, ka folur edhe për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Ajo tha se kjo ditë është më e mira për të folur hapur dhe si miq.

“Ka pritje që Asociacioni i Komunave Serbe të formohet. Marrëveshja që keni arritur është marrëveshje solide. Asociacioni nuk do të jetë qeveri paralele dhe nuk do të ketë ligjet e veta. Do të ndjek vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese. Asociacioni do t’i ndjek ligjet e Kosovës. Asociacioni mund t’i lejojë komunitetit serb të integrohet”, tha Mogherini.

“E keni përgjegjësinë të fuqizoni shtetin dhe shoqërinë tuaj. Uniteti dhe diversiteti nuk është vetëm moto e BE-së, por mund të jetë edhe e Kosovës”, theksoi përfaqësuesja e lartë e BE-së, e cila falënderoi pozitën e opozitën që ishin prezentë në seancë.

Federica Mogherini u kërkoi pozitës e opozitës kosovare që të ulen bashkë në një tavolinë dhe të zgjidhin problemet me dialog.

“Të bashkuar. Secili prej nesh, me gjithë dallimet, jemi të bashkuar rreth agjendës evropiane. Kjo është ditë shumë e rëndësishme për ju. T’i shërbeni popullit, vendit e popullit tuaj, duke i respektuar institucionet tuaja. Jam e lumtur që qeveria dhe opozita sot janë bashkuar. Dallimet politike nuk do të dhe nuk duhet të zhduken. Kjo është demokracia. Por, demokracia ka nevojë ë të gjithë akterët të ulen në një tryezë të përbashkët”, tha ajo.

Më tej, Mogherini ua kujtoi të zgjedhurve të popullit që ndryshimet dhe reformat në vend nuk ua kërkojnë institucionet e BE-së, por qytetarët që i kanë zgjedhur.

Ajo vlerësoi se Kosova ka bërë hapa të mëdhenj përpara, duke përkujtuar se vetëm para 16 vitesh ky ishte rajon i luftës.

“Propozimi ynë për udhëtimin pa viza është dëshmi e punës tuaj dhe bashkimit e unitetit. Kur them Ju, mendoj politikanët, deputetët, kryetarët e komunave, avokatin e popullit, gjyqtarët e prokurorët, secilin qytetar. Mund të llogarisni në mua dhe BE-në. Duhet të punojmë së bashku. I njëjti unitet i ka ndihmuar Kosovës dhe BE-së edhe për MSA-në. Na duhet i njëjti unitet për të lëvizur tutje”, tha Mogherini.

Ndërsa kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, në fjalën e tij, tha se prezenca e Mogherinit veç frymës pozitive të bashkëpunimit, tregon edhe avancimin e raporteve mes BE-së dhe vendit tonë.

“Kosova po fillon të zë vendin e merituar në familjen evropiane. Ju jemi mirënjohës. Orientimi ynë properëndimor, SHBA dhe NATO është qëllim që na bën të gjithëve bashkë. Pas një kohe të gjatë jemi bashkë pozitë dhe opozitë”, tha Veseli.

Mogherini para se t’u drejtohej deputetëve, në takime të ndara u prit nga kryeministri Isa Mustafa, presidenti Hashim Thaçi dhe kryeparlamentari Kadri Veseli.

http://kallxo.com/mogherini-integrimi-kosoves-rruge-e-gjate-dhe-e-komplikuar/