Ratko Mlladiq në sallën e gjyqit. Foto nga YouTube.

Mlladiq Apelon Refuzimin e Hagës për Lirimin e Tij të Përkohshëm

Në një parashtresë në Gjykatën Penale Ndërkombëtare të Hagës për ish-Jugosllavinë, ICTY, nga ekipi mbrojtës i Ratko Mlladiq, është paraqitur një kërkesë që ai të lirohet “nën çdo kusht tjetër që Gjykata e Apelit e konsideron si të nevojshëm”.

Mbrojtja theksoi se në vendimin për të refuzuar kërkesën e tij për lirim të përkohshëm në Rusi, janë shkelur të drejtat e klientit të tyre.

“Mbrojtja mendon se Dhoma e Apelit nuk veproi si duhej dhe mori vendimet e gabuara për faktet, të cilat nuk janë të drejta ndaj të akuzuarit”, thanë avokatët e Mlladiqit në apel.

Ndër të tjera, mbrojtja citon se Dhoma nuk e shpjegoi vendimin e saj për të refuzuar kërkesën e tyre.

Në mars, mbrojtja e Mlladiqit i kërkoi gjykatës të liroijë “Kasapin e Bosnjës” për trajtim mjekësor në Rusi, sepse ndryshe “mund të ishte tepër vonë”. Pas kësaj, Prokuroria e ICTY-së u përgjigj se Mlladiq mund të arratisej nëse ai lirohet dhe se gjendja e tij shëndetësore është e qëndrueshme.

Mlladiq, si ish-komandant i Ushtrisë Serbe të Bosnjës, është paditur për gjenocid në Srebrenicë, persekutim të myslimanëve dhe kroatëve duke arritur në shkallë gjenocidi në gjashtë komuna, për terrorizim të popullsisë së Sarajevës me bombardime të gjata dhe sulme me snajper, për pengmarrje të anëtarëve të forcës paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara, UNPROFOR.

Gjyqi i tij filloi në vitin 2012 dhe ai mbahet në burg që prej vitit 2011.

Vendimi në çështjen e Mlladiqit pritet të merret më vonë këtë vit.