MKRS s’i ka Problem Paratë për Renovimin e Stadiumit

Pasi Unioni i Federatave të Futbollit Evropian (UEFA) nuk e pranoi ashtu si ishte projektin e Federatës së Futbollit të Kosovës për renovimin e stadiumit të Prishtinës, ky renovim pritet të kushtojë më shtrenjtë.

Në një përgjigje për KALLXO.com, UEFA bëri të ditur se në shtator ka zhvilluar një takim me zyrtarët e FFK-së, të cilëve ua ka paraqitur disa kërkesa shtesë në lidhje me projektin e ofruar nga pala kosovare.

Sekretari i FFK-së, Eroll Salihu tregoi për KALLXO.com se çfarë kërkesa shtesë paraqiti UEFA.

“Janë të përcaktuara kriteret në mënyrë decizive. Duhet të fillojë prej sigurisë në stadium, duhet t’i ketë të gjitha hapësirat e nevojshme,  për media, për konferenca, për zhveshtore, për të gjitha ato hapësirat që nevojiten për akomodimin e shikuesve. Nuk mundet një reprezentacion të zhvillojë ndeshje, nëse tifozëria nuk ka vend ku me u ushqy, me pi në mënyrë të sigurt”, tha Salihu.

Ibër Alaj, udhëheqësi i Departamentit të Sportit në MKRS kërkesat e UEFA-s për renovimin nuk i merr si refuzim, por plotësim.

Ai thotë se ende në departament nuk e dinë nëse kërkesat e EUFA-s do të ndikojnë në një proces të ri të tenderimit.

“Pasi që ne ende jemi në fazën e harmonizimit të pozicioneve të kontraktuara me ato të cilat janë prezantuar dhe miratuar për kategorinë e IV-të nga UEFA, ne si autoritet kontraktues nuk jemi ende në fazën respektive për të përcaktuar procedurën ligjore e cila duhet të zbatohet  për të vazhduar me investimin (pozicionet e pa-parapara ) në Stadiumin e qytetit në Prishtinë,” tha Alaj për KALLXO.com.

Ndërsa vetë ministri i Kulturës Kujtim Shala është zotuar sot gjatë ditës para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, se MKRS-ja do t’i sigurojë fondet shtesë për plotësimin e kërkesave të UEFA-s.

“Kërkesat e UEFA-s dhe të FIFA-s tani po përfshihen te projekti bazë që të mund të vazhdohet sipas tij. Dallimi financiar nuk është i madh dhe ne e marrim përsipër atë, nuk është problem i buxhetit,” u ka thënë Shala deputetëve.

Edhe pse projekti ka pësuar ndryshime, ministri Shala thotë se stadiumi do përfundojë brenda afatit që është kontraktuar.

Projekti që është plotësuar nga UEFA me disa rekomandime, para këtij plotësimi pritej të kishte pas një kosto prej 3.8 milionë eurove, që ishin siguruar pas një marrëveshjeje ndërmjet MKRS-së dhe Komunës së Prishtinës.

http://kallxo.com/komuna-e-qeveria-bashke-per-renovimin-e-stadiumit/

Në anën proceduar për ndërtimin e stadiumit nacional nuk janë askund. Kanë kaluar 31 muaj prej që Qeveria e udhëhequr në atë kohë nga kryeministri Hashim Thaçi kishte nxjerrë vendimin për stadiumin.

http://kallxo.com/vendimi-qe-26-muaj-procedurat-per-stadiumin-askund/