Zona e rrethuar nga Policia afër ndërtesës së Qeverisë - Foto: KALLXO.com

Mjet Shpërthyes te Ndërtesa e Qeverisë

Policia e Kosovës ka rrethuar një zonë afër ndërtesës së re të Qeverisë pas dyshimeve se aty gjendet një mjet shpërthyes.

Policia ka konfirmuar se rreth orës 11 ka marrë një informacion për praninë e një mjeti shpërthyes.

Sipas zëdhënëses së Policisë për rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti, mjeti shpërthyes është larguar rreth orës 12:15 nga vendi ku ishte vendosur.

Në vend të ngjarjes kanë dalë edhe njësiti K9 i qenve të policisë.

“Policia po e mban ende të rrethuar lokacionin dhe po bën ekzaminimet”, tha zëdhënësja Ahmeti.

Zona e rrethuar nga Policia është afër zyreve të Administratës Pensionale.