Sokol Bashota, kryetar i Klinës, gjatë debatit 'Jeta në Komunë'. Foto: Atdhe Mulla

Mjerimi në Shkollë, ‘Luksi’ në Shesh dhe Paratë e Dhëna ‘Kesh’ në Klinë

Kryetari i komunës së Klinës, Sokol Bashota, ka dhënë versionin e tij të asaj se pse komuna që ai drejton shpërndau para në të gatshme për një festival, aferë e cila aktualisht është nën llupën e hetuesisë.

Bashota ka dalë para Jeta Xharrës dhe asamblistëve të komunës së Klinës për të folur për dy vitet e para të mandatit të tij të tretë si kryetar i komunës.

Debati është xhiruar një javë para se hetuesit nga policia dhe prokuroria t’i shkonin Bashotës në zyrë dhe në shtëpi për të marrë dokumente rreth dyshimeve për keqpërdorim.

Vlora Tafili, asamblistë e AAK-së, thotë se për tërheqjen e rreth 20 mijë eurove nga kontoja e komunës është autorizuar vozitësi i kryetarit, i cili gjithashtu është pjesë e hetimeve të prokurorisë.

Kryetari i Klinës e pranon se paratë me të cilat janë paguar kontribuuesit në këtë festival janë dhënë në të gatshme, pa qarkulluar nëpër llogari bankare.

“Janë dhënë para të gatshme sepse ata që i kanë marrë nuk kanë pasur biznese të regjistruara dhe është dashur të shkojë me tender që merr kohë”, arsyetohet ai.

“Rreth 20 mijë euro të transferuara në llogarinë e festivalit ‘I Këndojmë Lirisë’, e ka autorizuar vozitësin t’i tërheqë paratë dhe të gjitha pagesat janë bërë me para të gatshme”, tha ajo duke e pyetur Bashotën pse ka ndodhur një gjë e tillë.

Ndërsa Skënder Mërturi, këshilltar i asamblesë nga Lëvizja Vetëvendosje, thotë se vitin e kaluar ky subjekt ka ngritur kallëzim penal ndaj kryetarit të komunës pikërisht për këto dyshime.

“Si komunë njihemi për keqpërdorime të parasë publike dhe askush nuk jep përgjegjësi”, tha mërturi gjatë debatit.

Bashota menjëherë e mohoi një gjë të tillë.

Madje Bashota e etiketoi këtë gjë si “spiunim’.

“Dua t’i referohem një thënie të xhaxhait të babës tim për kohën e fashizmit. Ai ka konstatu se në Kosovë bukë dhe shpiuna ka pa pare. Në këtë rast, shpiunin e konsideroj si diçka që keqinterpreton”, tha Bashota.

Në debate parazgjedhore dy vjet më parë, Bashota kishte premtuar se nëse votohet për herë të tretë në krye të Klinës do t’i ndërtojë tri shkolla dhe do të punojë në trajtimin e ujërave të zeza nëpër fshatra.

Dy vjet më vonë, ai thotë se gjatë kësaj periudhë i ka dhënë prioritet bujqësisë pasi që Klinën e quan “kopsht i Kosovës”, duke ndihmuar rreth 310 fermerë, përfshirë 196 bletarë me koshere bletësh dhe 55 me centrifuga.

Gjithashtu ai thotë se është rinovuar punkti i grumbullimit të qumështit në Jashanicë, ndërtimi i kanalit të ujitjes në Jagodë, ndërtimi i pendës së ujitjes në Krushevë të madhe dhe ndërtimi i disa serrave për fermerë.

“Edhe në 2015 kemi vazhduar me të njëjtin trend duke ofruar subvencione, janë regjistruar mbi 1500 fermerë”, tha Bashota.

Por debati më i ashpër u zhvillua rreth shkollës fillore “Ismet Rraci” në Klinë, në të cilën rreth 1,700 nxënës zhvillojnë mësimin në kushte të mjerueshme, ndërsa drejtori i saj, kohë më parë, në KALLXO.com kishte thënë se objekti rrezikon edhe të shembet.

“Është e vërtetë që është në gjendje jo të mirë për ta vazhduar mësimin por pamundësia buxhetore për ta bërë një shkollë të tillë”, thotë Bashota.

Ai thotë se ndërtimi i shkollës kërkon 3 milionë euro dhe është e pamundur për komunën që të sigurojë buxhet brenda një viti.

“Ministria i ka ndarë paratë, por kanë ndryshuar rrethanat në qeveri dhe ka lëvizë si projekt. Këtë më së miri e di qeveria dhe Ministri i Arsimit. Ai është i informuar për gjendjen e shkollës”, thotë ai.

Kur pyetet se kush do të jetë përgjegjës në rast se shkolla shembet, ai e ndan fajësinë.

“Do të jem bashkëpjesëmarrës në këtë përgjegjësi për shkak se Ministria dhe kryeministrat, Mustafa e Thaçi, janë në dijeni për gjendjen e kësaj shkolle. Disa herë kemi bërë presion sepse komuna nuk ka mundësi për ta ndërtuar”, tha Bashota.

Asamblisti i AAK-së, Lorenc Marleku, thotë se kjo shkollë ka qenë dashur të jetë prioritet i komunës e jo sheshi në të cilin komuna ka zotuar 1.7 milion euro.

“Janë 1700 nxënës që ngrohen ende me stufa. Në atë shkollë vetëm një tërmet i vogël duhet… Sheshi ka qenë dashur të ndërtohet pas 5 vitesh. Kjo shkollë ka qenë dashur të ndërtohet”, tha Marleku.

Haxhi Ibishi i PDK-së thotë se ndërtimi i kësaj shkolle ka qenë prioritet por pas zgjedhjeve të vitit 2014, kryeministri Mustafa dhe ish kryeministri Thaçi i kanë premtuar publikisht kryetarit Bashota që kjo shkollë do të jetë “prioritet nacional”.

“Komuna i ka bërë riorientimet e veta të buxhetit. Shkolla është premtim nacional në të cilin do të përfshihet edhe komuna”, tha Ibishi i cili është edhe kryesues i asamblesë komunale.

Duke u lidhur në një deklarim të kryetarit të komunës se “deri më sot nuk janë vërejtur këto defekte”, në shkollë, asamblisti i Vetëvendosjes Skënder Mërturi tha Bashota nuk i njeh problemet e komunës.

“Kryetari i komunës nuk e di për gjendjen e shkollës sepse nuk jeton në Klinë, fëmijët e tij nuk janë në shkollë të Klinës dhe nuk është i interesuar ta zgjidhë këtë çështje. Paratë e kësaj shkolle kanë shkuar në Gjakovë”, tha Mërturi.

Bashota tha se ndërkohë, gjatë këtij dyvjeçari, ka hequr dorë nga një banesë e cila i ishte ndarë nga komuna në Klinë pasi që e kishte rregulluar çështjen e banimit në fshatin e tij.