Mjekët Specialistë Përsëri në Protestë- Kërkojnë Punë

Mjekët specialistë u janë rikthyer protestave edhe në vitin 2017.

Ata protestuan disa herë duke kërkuar vende pune gjatë vitit të kaluar, ndërsa Ministria e Shëndetësisë ua ofroi një kontratë disamuajshe pune.

Por kur kjo kontratë tashmë ka kaluar, mjekët specialistë dolën sot para objektit të qeverisë për të shfaqur hallet e tyre.

Kujtim Kastrati mjek  specialist për sëmundjet e hundës veshit dhe fytit tha për KALLXO.com se pas skadimit të kontratave do të mbeten në rrugë.

“Kemi dalë sepse më herët na kanë dhanë disa kontrata tremujore e cila skadon me datën 14 [janar]. Pas datës 14 ne nuk duhet të dalim në punë sipas vendimit që kanë marrë ata më herët. Ne tani kërkojmë që ato kontrata të vazhdohen deri në hapjen e ndonjë konkursi në mënyrë që të mos mbetemi në rrugë,” tha Kastrati.

Kastrati tregoi se janë rreth 200 specialistë që po kërkojnë vende pune dhe se në mesin e tyre ka të atillë që kanë katër vjet që janë të papunë.

Ai për shkak të zhgënjimit paralajmëroi edhe masa të tjera në rast se nuk merren parasysh kërkesat e specialistëve.

“Në qoftë se përgjigjet e tyre do të jenë negative sigurisht që do të radikalizohen protestat tona,” tha Kastrati.

Ndërkohë që Kastrati shprehte pakënaqësinë e tij, disa mjekë të tjerë hynë brenda ndërtesës së qeverisë për të kërkuar takim me ndonjë përfaqësues, por ata nuk i priti askush.

“Kërkuam takim me Zyrën e Kryeministrit. Fillimisht nuk na pranuan thanë që ajo këshilltarja për mjekësi nuk është aty. Gjithashtu kërkuam takim edhe me zyrtarë të Ministrisë së Financave ata na i morën të dhanat, numrin e telefonit dhe na thanë që ju lajmërojmë,” tha Arben Ademi përfaqësues i specialistëve.

Ademi deklaroi për KALLXO.com se specialistët janë takuar dje me përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë dhe kanë kërkuar prej tyre t’u vazhdohen kontratat deri në shpalljen e konkursit.

“Në dhjetor në planifikimin e buxhetit janë miratuar 1 milion e 300 mijë euro për kategorinë tonë për 200 specialistë për punësim edhe thjesht nëse ato pare janë në buxhet nuk e kuptojmë pse nuk duhet me na vazhdu kontratat. Ne kemi protestuar vazhdimisht na është thënë që nuk ka buxhet, tash ka buxhet atëherë përse nuk duhet me u vazhdu kontrata?” shtroi pyetje Arben Ademi.

KALLXO.com ka dërguar pyetje për çështjen e specialistëve edhe në Ministri të Financave edhe në Ministri të Shëndetësisë dhe është në pritje të përgjigjeve.

KALLXO.com ka shkruar edhe për protestat e vitit të kaluar të mjekëve specialistë.

http://kallxo.com/zgjidhje-e-perkohshme-per-specialistet-e-papune/

http://kallxo.com/mjeket-specialiste-ne-proteste-kerkojne-vende-pune/