Mjekët Specialistë Në Protestë, Kërkojnë Vende Pune

Mbi  80 specialistë të fushave të ndryshme të mjekësisë kanë protestuar sot para Ministrisë së Shëndetësisë duke kërkuar punësim.

Përfaqësues të kësaj kategorie të specialistëve thonë se janë detyruar të dalin në protestë pasi që nuk kanë parë gatishmëri nga Ministri i Shëndetësisë, Imet Rrahmani për t’u takuar me ta.

Arben Ademi, përfaqësues i grupit, thotë konkursi i shpallur për pranimin e asistentëve nga Fakulteti i Mjekësisë në QKUK i ka shtyrë që të dalin në protestë edhe sot, pas disa protestave të mbajtura më herët.

“Është e padrejtë sepse ata marin një rrogë, kujdestarojnë, janë të punësuar dhe ka dalë konkursi edhe për një rrogë të dytë ndërkohë që ne jemi mbi 80 vetë që thjesht jemi papunë pa asnjë rrogë”, tha Ademi.

Por Ministri Rrahmani pranoi të takohet me një delegacion të protestuesve gjysmë ore pasi këta të fundit bllokuan derën e Ministrisë duke mos lejuar askënd të kalojë andejpari.

Pas takimit, njëra nga mjeket që ishte në takim, Luljeta Durmishi- Maqedonci, tha se nuk morën garancion nga Ministri se do të punësohen.

“Ministri na shpjegoi përse është shpallur konkursi për asistentë kinse ata kanë nevojë t’i mësojnë studentët që ata të mos ngelin pa dije kështu që ne do të presim deri sa ta rishikojmë buxhetin”, tha Durmishi- Maqedonci.

Zëdhënësi i QKUK-së Shpend Fazliu tha se Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK)  ka proceduar konkursin për pranim të asistentëve të Fakultetit të Mjekësisë sipas amandamenteve të ligjit për buxhet të aprovuar në Kuvendin e Kosovës.

“ShSKUK ka zbatuar amandamentimin e ligjit për buxhet të ëkrkuar nga Ministria”, tha Fazliu.

Ndërsa Faik Hoti, zëdhënës në Ministrinë e Shëndetësisë, tha për KALLXO.com se Ministri i ka njoftuar specialistët se  pas krijimit të data bazës me numrin e specialistëve të papunë do t’i kërkohet Qeverisë një rishikim të buxhetit për t’ua lejuar punësimin në afat një vjeçar me mundësi vazhdimi.

“Prioritet do të kenë profilet e shërbimeve klinike në SHSKUK sidomos profilet që janë më deficitare si Kardiokirurgjia, Kardiologjia invazive, Anesteziologjia derisa edhe komuna e tjera mund të kontribuojnë në punësimin e një numri specialishtësh”, tha Hoti.