Objekti i Komunës së Ferizajt | Foto: KALLXO.com

Mjekët Pa Paga, Komuna Hesht

120 punëtorët shëndetësorë të angazhuar përmes projektit të  Komunës së Ferizajt, “Caritas Kosovës, Ministrisë së Shëndetësisë dhe asaj të Punës dhe Mirëqenies Sociale, vazhdojnë të mos marrin pagat e tyre me rregull.

Disa herë në KALLXO.com janë raportuar problemet me pagesa të këtyre punëtorëve, e gjithashtu edhe me mungesën e kontratave, ndërsa përkundër kësaj, këto probleme vazhdojnë të jenë të pranishme.

KALLXO.com lidhur me vonesat e pagave për punëtorët shëndetësorë kishte raportuar edhe në  muajin gusht,  ndërsa pavarësisht që pagat e këtyre punëtorëve po vonohen, Komuna e Ferizajt vazhdon të mos kthejë përgjigje për arsyet e ngecjeve.

Se ka vonesa në pagesat e pagave të punëtorëve dhe mungesa të kontratave  e kishte konfirmuar edhe vetë Komuna e Ferizajt në përgjigjet e saj në muajin gusht, por kishin thënë se këto çështje do të zgjidhen pas datës 15 gusht kur të mbarojë pushimi i “Caritas Kosovës”.

Afër një muaj më pas, problemet vazhdojnë të ekzistojnë, por kësaj radhe Komuna e Ferizajt e ka zgjedhur heshtjen.

Zyra Ligjore e KALLXO.com dhe Internews Kosovës i ka dërguar shkresë drejtorit të Drejtorisë së Shëndetësisë në Komunën e Ferizajt Burim Karametës duke i kërkuar sqarim rreth kësaj mospagese, por ende nuk ka marrë përgjigje nga ai.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe Caritas Kosovën, por nuk ka mundur të marrë përgjigje edhe nga kjo organizatë.

Në anën tjetër, dy ministritë e përfshira në këtë proces, Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, thonë se i ka kryer obligimet e tyre të parapara me kontratë.

Marrëveshja e bashkëpunimit dhe bashkëfinancimit për “Ngritjen e Përkujdesit Shtëpiak dhe Ambulantor në Ferizaj” është marrëveshje katërpalëshe me të cilën Komuna e Ferizajt participon me 341, 138 euro, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale me 60.000 euro, “Caritas Kosova” me 19.850 euro dhe Ministria e Shëndetësisë me 20.000 euro.

Punëtorët shëndetësorë të punësuar nëpërmjet “Caritas Kosovës” në Ferizaj probleme me paga kishin edhe vitin e kaluar.

http://kallxo.com/120-mjeke-e-infermiere-dy-muaj-pa-paga/

http://kallxo.com/dy-muaj-pa-paga-punetoret-e-projektit-te-caritasit-dhe-komunes-ne-ferizaj/