Ilustrim

Mjekët në QKUK i Heqin Pacientit nga Fytyra Tumorin 30 Centimetra

Në Klinikën e Kirurgjisë Plastike dhe Rekonstruktive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës është bërë për herë të parë një operacion specifik, ku pacientit C.B. (82 vjeç) i është hequr tumori me dimension 30 x 20 centimetra.

Sipas një njoftimi nga QKU operacioni ka zgjatur mbi 5 orë, ku pacientit i është bërë largimi kirurgjik i masës se madhe tumorale në tërësi, në mënyrë radikale, ku për shkak të zbulimit të strukturave vitale anatomike te kokës dhe qafës është bërë mbulimi me muskulin e madh të gjoksit të anës së majtë të kombinuar me graft (transplant) të lirë lëkuror, nga vetë pacienti.

“Është bërë rregullimi i këndit të majtë të gojës me shtrënguese të lirë të marrë nga dora e djathtë ( PL). Pacienti një natë ka qëndruar në mjekimin intensiv, mbikëqyrur nga stafi shëndetësor i mjekimit intensiv qendror”, thuhet në njoftim.

Sipas QKU-së gjendja momentale e pacientit është e mirë dhe stabile, ai ndodhet në Klinikën e Kirurgjisë Plastike dhe pritet që gjatë ditëve në vijim të lëshohet për në shtëpi.

QKU po ashtu njofton për përbërjen e ekipi mjekësor që është udhëhequr nga Dr. Ylber Zenjullahu, dr. Shkelqim Dërguti, mbështetur nga ekipi i anestezionit me dr. Mentor Alimusa, dr. Ingerta Sahiti- Krasniqi dhe stafi i specializantëve dhe anestezisteve dhe instrumentareve. /21Media