Fabrika për riciklimin e vajrave motorike - Foto: KALLXO.com

Mitrovicasit në hall nga kundërmimi që vjen nga fabrika e riciklimit të vajrave motorike

Fabrika për përpunimin e vajrave motorike ‘BAS Partners’ po u shkakton telashe të shumta banorëve të disa lagjeve në Mitrovicë.

Banorët e lagjeve “Kalabria”, “Kopshti”, “Aziz Abrashi”, “Martirët e Studimes”,  “Lagjja e Boshnjakëve”, “Martirët 1903”, kanë raportuar në KALLXO lidhur me problemin e tyre.

Këta banorë kanë thënë për KALLXO.com se e kanë shumë të vështirë të marrin frymë për shkak të aromës së keqe që kundërmon në lagjet tyre.

“Është katastrofë, qetash po vjen era më pak pasi edhe ashtu është frymë, por verës nuk kemi pse dalim jashtë për shkak të kësaj ere. Madje as dritaret asnjëherë nuk guxojmë me i hapë“, thotë për KALLXO.com banori Sead Hamiti.

Banorët dyshojnë që kjo erë është kancerogjene.

“Ne kemi shku jemi anku edhe në Komunë. Me herët kemi bo edhe protestë por asgjë. Këtu s’ki pse rri kur nxehet koha, kur ka diell shumë verës, nihet edhe me shumë. Kjo erë është veç me kanë kancerogjene, tjetër s’di çka ka këtu“, u shpreh një tjetër banor, Agim Boletini.

Banorët e këtyre lagjeve janë kryesisht banorë të cilët kanë banuar në pjesën Veriore të qytetit.

Ndërsa pas luftës janë vendosur në këtë zonë pasi që shtëpitë e tyre kanë mbetur në pjesën tjetër të qytetit.

KALLXO.com ka vizituar këta banorë.

Ata na thanë se e kanë lajmëruar shumë herë edhe Policinë, pastaj edhe Inspeksionin e Komunës, por sipas tyre ata nuk kanë ndërmarrë asgjë.

“Kanë qenë inspeksioni këtu po neve na kanë thanë që ata nuk kanë kompetencë për këtë fabrikë dhe nuk mund të bëjnë asgjë“, thonë Sead Hamiti e Agim Boletini.

KALLXO.com ka kontaktuar drejtorin e Inspeksionit në Mitrovicë, Hysni Ahmetin, i cili tha se se nuk kanë kompetenca lidhur me këtë fabrikë.

Sipas tij, leja për punë i është dhënë nga Ministria e Ambientit dhe nuk janë lejuar të hyjnë brenda.

“Komuna është në dijeni  po për këtë ne nuk kemi kompetenca. Ministria e Ambientit e ka dhënë lejen dhe ata e kanë për obligim me ardhë me kontrollu. Ne si Drejtori e Inspeksionit nuk kem kompetenca as nuk na lënë me hy brenda“, tha Ahmeti.

Drejtori shtoi se kanë qenë së paku 10 herë deri me tash për të parë problemin por shton se nuk janë lejuar të hyjnë brenda nga pronarët, me arsyetimin se lejen për punë e kanë nga Ministria e Ambientit dhe vetëm ata kanë të drejtë kontrolli.

Po ashtu Ahmeti ka thënë së e kanë njoftuar Ministrinë e Ambientit për këtë por nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

“Ne kemi provu me asistencë të policisë me hi me këqyr a është tu punu. Neve nuk na kane lanë. Policia ka hi i kanë pare që kazanët kanë qenë të nxehtë zakonisht thanë qe i lëshojnë natën. Kemi njoftu Ministrinë e Ambientit kemi kërkua prej tyre ndihmë që të paktën me ardhë me bo këtë kontroll por as prej tyre s’ka kurrgjëë“, tha Ahmeti.

Kjo fabrikë kishte filluar punën në vitin 2015 dhe që nga ajo kohë, banorët vazhdimisht thonë se janë ankuar.

Në anën tjetër pronari i fabrikës për riciklimin e vajrave ‘BAS Partners’, Masar Bashota ka thënë së kjo ndotje nuk vjen nga fabrika e tij.

“Fabrika nuk ka ndotje prej neve, se Ministria e Ambientit me inspektorë kerkush nuk merret me neve se na kane lyp analiza, që i lypin standardet e bashkësisë evropiane. Kanë ardhë prej Serbisë, prej Novi Sadi i kanë bërë analizat për vërtetimin e cilësisë se ndotjes së ajrit, i kanë çu dy javë, kanë ardhë. Më pas kanë thanë që janë brenda normativës, ka ndodh janë anku kur ne s’kemi qene hiç duke punu “, tha Bashota për KALLXO.com.

Ai shtoi se licencën e ka nga Ministria e Ambientit dhe se procesi i riciklimit nuk e ka një standard të punës e cila mund të përfundojë brenda një orari të caktuar.

Kurse analiza e cila ishte bërë nga një institut i Novi Sadit sipas Bashotës ishte bërë me monitorimin e inspektorëve të komunës dhe prezencën e inspektorëve nga Ministria e Ambientit, dhe që pas analizës kishte dalë që nuk ka problem për vazhdimin e punës.

Ndërsa banorët e këtyre lagjeve kanë nënshkruar një peticion, të cilin kanë vendosur t’ia dërgojnë Ministrisë së Ambientit dhe Komunës së Mitrovicës.

“Është ndërtuar një fabrikë për përpunimin e vajrave motorike, kjo fabrikë punon vetëm në mbrëmje dhe liron gazra më aromë të padurueshme dhe helmuese “, thuhet në një pjesë të peticionit.

Gjithashtu banorët kanë paralajmëruar që nëse nuk merren masa situata mund të dalë prej kontrollit pasi që ata janë shumë të revoltuar me situatën e krijuar.