Salla e mbledhjeve | Foto: Kuvendi i Kosovës

Miratohet Projektligji për Legalizimin e Armëve

Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për Legalizimin e Armëve dhe Dorëzimin e Armëve të Vogla dhe të Lehta, Municionit dhe Mjeteve Eksplozive.

Shqyrtimi i dytë i këtij projektligji kaloi pa vota kundër, pa abstenime dhe pa diskutim.

Shqyrtimi i parë i këtij projektligji gjithashtu ishte votuar unanimisht nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Atëherë ministri i Brendshëm Skender Hyseni tha se legalizimi i armëve do të rregullohet me ligj.

Sot po vazhdon seanca plenare e 30 marsit, ndërsa u miratua edhe shqyrtimi i parë i Projektligjit për Mbrojtjen nga Rrezatimi dhe Siguria Bërthamore.

Për mungesë kuorumi u shty votimi për propozim-rezolutën mbi arrestimin e aktivistëve të Vetëvendosjes.

Pas pauzës Kuvendi do të vazhdojë me votimin e anëtarit të Këshillit Gjyqësor nga radhët e komunitetit serb.