Miratohet Luftimi i Financimit të Terrorizmit

Ky projektligj u miratua, edhe pse arsyetuesi i tij në emër të komisionit funksional Naser Osmani tha se projektligji nuk është në pajtim me ligjet e BE-së

“Në takime të zhvilluara me ekspertë të Zyrës së BE-së, është thënë që ky projektligj nuk është konform me direktivat e BE-së. Kanë dhënë rekomandime, por duke pasë parasysh kohën e shkurtër nuk kemi mujt me i shti krejt ndryshimet. I rekomandoj ministrisë së Financave të propozojë ndryshimet/amendamentimet,” tha Osmani.

Sabri Hamiti reagoi ndaj leximit të shpejtë të projektligjeve.

“Kthehem te ky ligj që u morëm vesh mbledhjen e kalume. Thanë që është ligj i randsishëm, sepse qenka koha e fundit karshi obligimeve ndërkombëtare. Problemi është i leximit të shpejtë edhe në komisione,” tha Hamiti.

Por Naser Osmani ishte këmbëngulës që projektligji të miratohet.

“Ke, a s’ke ministri, ne sot duhet ta votojmë këtë draft në leximin e dytë. Kjo për me i mrri afatet ligjore,” tha deputeti Osmani.

Pastaj u miratuan një nga një 37 amendamentet e Projektligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, për t’u miratuar në fund vetë projektligji.

Në mbledhjen e Kuvendit u shty për seancën e ardhshme Shqyrtimi i Dytë i Projektligjit për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës.

Në lidhje me këtë projektligj, deputeti Veton Berisha tha se nuk ka kaluar në Komisionin për Komunitete, ndërsa kryesuesi i mbledhjes Xhavit Haliti tha se ky projektligj “ka mrizuar” në këtë komision.

Megjithatë, zëvendëskryeministri Kujtim Shala e tërhoqi projektligjin, ndërsa deputetët shtynë votimin për të.

Është miratuar edhe Projektligji për Statusin dhe të Drejtat e Personave Paraplegjikë dhe Tetraplegjikë.

Për këtë projektligj votuan pro 64 vota deputetë, ndërsa 1 abstenoi abstenim.

Gjithashtu në Kuvend kaloi edhe Projektligji për Procedurën e Përgjithshme Administrative. Për të votuan 71 deputetë, ndërsa 1 abstenoi.

Me propozim të Adem Grabovcit përsëri nuk u votua për anëtarët e Komisionit të Konkurrencës dhe kjo pikë e rendit të ditës u shty për seancën tjetër.